Pas më shumë se tre muajsh heshtje, Ben Affleck ka ndarë versionin e tij të historisë për ndarjen nga Jennifer Lopez. Aktori, i cili ka kaluar dy vjet të martuar me këngëtaren dhe aktoren, ka folur për arsyet e divorcit në një intervistë të publikuar më 25 mars për revistën GQ. Sipas tij, shumë njerëz priren të kërkojnë arsye të fshehura apo skandale pas çdo ndarjeje, por ai thekson se e vërteta është shumë më e thjeshtë se sa mendojnë të tjerët.
Affleck shpjegoi se, megjithëse ai dhe Lopez kishin dallime të thella në mënyrën e tyre të të jetuarit dhe të qasjes ndaj famës, ndarja nuk kishte të bënte me ndonjë dramë apo një situatë intrigante. “Nuk mund të martohesh me një kapiten anijeje dhe të ankohesh që nuk të pëlqen uji,” shpjegoi ai, duke iu referuar një videoje nga dokumentarin e Jenniferit, “The Greatest Love Story Never Told”.
Pavarësisht se ata kishin perspektiva të ndryshme për jetën publike, aktori theksoi se ky nuk ishte shkaku i ndarjes. “Kur hyn në një marrëdhënie, e pranon personin ashtu siç është,” shtoi ai. “Nuk ka një moment të vetëm që shpjegon gjithçka.”
Ben, i cili ka tre fëmijë me ish-bashkëshorten Jennifer Garner, shprehu gjithashtu respekt për ish-gruan e tij dhe për dëshirën e saj për një jetë më publike, duke theksuar se ai nuk e gjykon për këtë zgjedhje. Ndërsa shpjegoi se nuk dëshiron të hyjë në detaje për shkakun e ndarjes, ai e cilësoi këtë si një çështje shumë personale dhe të ndjeshme për të.
“Thjesht ndjehem i ekspozuar,” përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se, edhe pse ai ka zgjedhur të flasë për këtë temë, ka disa aspekte që preferon t’i mbajë private.