Belshi po shndërrohet çdo vit në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit elitar vendas dhe të huaj, me një ofertë natyrore dhe kulturore gjithnjë e më të pasur që po tërheq mijëra vizitorë në zemër të Dumresë.
Emisioni “Personazhe në fokus” këtë të shtunë sjell në vëmendje një nga figurat më të njohura të turizmit lokal: drejtorin e turizmit pranë Bashkisë Belsh, z. Albert Hysa. Në një bisedë të sinqertë, ai ndan me publikun arsyet pse Belshi është shndërruar në një qendër të rëndësishme turistike të Shqipërisë.
Zoti Hysa thekson se Belshi dhe zona përreth, e njohur si Dumrea, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë. Sipas tij, kombinimi i liqeneve të shumta, gjelbërimit të dendur dhe qetësisë që ofron natyra është një ftesë për të gjithë ata që kërkojnë paqen shpirtërore larg zhurmës urbane.
Vetëm gjatë vitit 2024, Belshi është vizituar nga mbi 220 mijë turistë, shumica nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qytete të ndryshme shqiptare. Ky numër tregon për një rritje të ndjeshme të interesit ndaj kësaj zone, e cila po renditet gjithnjë e më lart në guidat e turizmit ditor dhe fundjavash.
Ajo që e bën Belshin të veçantë është ndërthurja mes natyrës dhe historisë. Liqeni i Madh dhe “Mbretëresha Hyjnore Afërdita” në fshatin Seferan, janë ndër atraksionet më të përfolura, së bashku me peizazhet e rralla të Dumresë dhe kuzhinën tradicionale të zonës.
Në intervistë, u vlerësua edhe mbështetja e vazhdueshme e kryetarit të Bashkisë, z. Arif Tafani, si dhe projektet e urbanizimit të ndërmarra nga qeveria, të cilat e kanë transformuar Belshin në një pikë kyçe të turizmit shqiptar.
Z. Hysa ndau gjithashtu disa prej pikave më të vizituara nga turistët, duke ofruar një profil të pasur të vendit dhe përvojave unike që ofron zona. Ai u përgjigj pyetjeve të gazetarit Ndriçim Gjoshi, duke sjellë një pasqyrë reale të zhvillimeve turistike në këtë perlë shqiptare.
Emisioni “Personazhe në fokus” transmetohet çdo të shtunë në orën 21:00, duke sjellë personalitete dhe histori frymëzuese nga e gjithë Shqipëria.