Gazetari Almer Toska ka deklaruar dje se në dosjen e SPAK për Tunelin e Llogarasë ka disa komunikime të përgjuara, mes deputetit të Partisë Demokratike (Belind Këlliçi) dhe ish-kreut të ARRSH Evis Berberit, i cili është në burg me disa masa sigurie për korrupsion me tenderat e rrugëve dhe pastrim parash.
Në këto mesazhe, sipas gazetarit pranë PD-së, diskutohen çështje të organizimit dhe financave për protestat para Bashkisë së Tiranës, kundër Erion Veliajt.
“Një deputet shumë i rëndësishëm i Partisë Demokratike, i afërt me Sali Berishën, komunikon në një grup WhatsApp-i me Evis Berberin. Deputeti i shkruan: ‘Na duhen lekë për molotovë’. Berberi i përgjigjet: ‘Keni shumë pak njerëz, pse nuk organizoheni më mirë?’ dhe deputeti ia kthen: ‘Nuk kemi financa’”, tha Toska. Deklaratat u bënë gjatë një interviste.
Ndërkaq, disa burime theksojnë se në dosjen e Tunelit të Llogarasë rezulton i përfshirë në komunikime edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili është akuzuar nga Gaz Bardhi se posedon edhe një vilë në Gjirin e Lalzit në emrin e një biznesmeni.
Gjithsesi, avokatja Alesia Balliu tha dje në një studio televizive se Flamur Noka ka miqësi me zv/kryeministren Balluku.
“Ata e braktisën parlamentin pasi nuk kanë interes të debatojnë me argument me Ballukun, sepse ajo është mikeshë shumë e mirë e Nokës. Ata e ruajnë për të mos e atakuar. Dhe kur e atakojnë, mbajnë atë klounin, çunin e Fahriut, që kërkojnë t’i bëjë moral të pandehurës Balluku, duke qenë vetë djali i një spiuni dhe që vjen nga një familje hajdutësh“, tha Balliu.