Policia Kufitare në Rinas arreston një belg 20-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda në Maltë.
Policia Kufitare në Rinas, në bashkëpunim me ZQK Interpol Tiranën dhe partnerët europianë, ka finalizuar një tjetër operacion të suksesshëm kundër kriminalitetit ndërkombëtar. Një shtetas belg, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është arrestuar provizorisht për t’u ekstraduar drejt Maltës.
Kontrollet e intensifikuara me pajisje moderne dedektuese, analiza e rrezikut dhe verifikimi i hollësishëm i dokumenteve të udhëtimit çuan në identifikimin e të dyshuarit. Po ashtu, intervistimi i thelluar dhe shkëmbimi i informacionit me Interpol Tiranën ishin vendimtarë në kapjen e tij.
Personi i arrestuar është A. K., 20 vjeç, banues në Belgjikë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Malta, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Magjistratëve në Maltë.
Veprat penale për të cilat ai akuzohet përfshijnë “Plagosje të rëndë me dashje”, “Komplot për kryerjen e një vepre penale”, “Vjedhje”, “Posedim, shpërndarje ose prodhim i materialeve pornografike me të mitur” dhe “Shkelje të kushteve të lirimit me kusht”. Këto vepra janë të parashikuara në legjislacionin penal të Maltës.
Pas arrestimit, Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij, duke garantuar që ai të përballet me drejtësinë malteze për krimet e kryera.


