Presidenti Bajram Begaj priti në Presidencë kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Në qendër të bisedës ishin shqetësimet e shqiptarëve të Luginës dhe respektimi i të drejtave të tyre themelore.
Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet zëri i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
“Do të vijoj të bëj prezent në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në të gjitha takimet e mia me partnerët shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mbrojtje të të drejtave të tyre”, u shpreh Begaj.
Në takim u diskutua edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi, një praktikë që sipas palëve sjell pasoja direkte, nga e drejta e votës te kujdesi shëndetësor, arsimi dhe përfaqësimi institucional.
Begaj vlerësoi përfshirjen e problematikave të Luginës në progres-raportin e Bashkimit Europian, si dhe përpjekjet për ta çuar çështjen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai e cilësoi pranimin e padisë për pasivizimin e adresave si një hap të rëndësishëm drejt respektimit të të drejtave themelore.
Presidenti përmendi gjithashtu sensibilizimin e ligjvënësve amerikanë, të cilët kanë kërkuar shqyrtimin e këtyre shqetësimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në fund, ai theksoi se çështjet që lidhen me identitetin kombëtar dhe kulturor kërkojnë bashkëpunim më të fortë mes faktorëve politikë në Luginën e Preshevës.