Begaj dekreton ligjin e ri për konfliktin e interesit: ndalohen bizneset me pasuri publike dhe dhuratat mbi 10 mijë lekë

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesit”, i cili synon të forcojë kontrollin mbi zyrtarët publikë dhe të kufizojë abuzimet me funksionin.

Ligji vendos kufizime të qarta për zyrtarët e lartë kushtetues, anëtarët e qeverisë, deputetët dhe kryebashkiakët, si dhe për familjarët e tyre. Ata nuk mund të zotërojnë aksione apo të ushtrojnë veprimtari biznesi që përfitojnë nga pasuria publike.

Një tjetër dispozitë ndalon pranimin e dhuratave apo trajtimeve preferenciale mbi 10,000 lekë. Dhuratat mbi këtë vlerë duhet të refuzohen ose të raportohen.

Ligji parashikon gjithashtu që ish-zyrtarët, për një periudhë dyvjeçare pas përfundimit të mandatit, të mos mund të punësohen në pozicione drejtuese në kompani private që kanë lidhje me institucionin ku kanë ushtruar detyrën.

Kufizime të veçanta zbatohen për krerët e institucioneve të drejtësisë. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, KLGJ, KLP, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të kryejnë veprimtari fitimprurëse të lidhura me pasurinë publike dhe as të përfitojnë nga kompani ku kanë interesa pasive.

Gjyqtarëve dhe prokurorëve u ndalohet administrimi i kompanive, ushtrimi i aktiviteteve tregtare dhe zotërimi i aksioneve që mund të krijojnë konflikt interesi. Ata nuk mund të ushtrojnë funksione si avokatë, noterë, ekspertë të licencuar, konsulentë apo arbitra në arbitrazhe tregtare, me përjashtim të mësimdhënies dhe kërkimeve shkencore. Kufizimet vlejnë edhe për magjistratët e sapodiplomuar.

Magjistratët nuk mund të jenë anëtarë të partive politike, të mbajnë funksione në to apo të lidhen publikisht me formacione politike. Gjithashtu, ndalohet drejtimi ose pjesëmarrja në organet drejtuese të organizatave jofitimprurëse.

Shkeljet e ligjit dënohen me gjoba nga 200,000 deri në 500,000 lekë, pavarësisht ndjekjes penale apo masave disiplinore. Zbatimi i dispozitave monitorohet nga ILDKPKI.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033