Bebe Rexha reagon ashpër pas publikimit të fotografive në gjendje të rënduar shëndetësore: “As e sëmurë nuk mund të jesh në paqe”

Këngëtarja e njohur Bebe Rexha ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas publikimit të disa fotografive të saj, ku shfaqet në një gjendje të rënduar shëndetësore.

Fotografi të realizuara jashtë një spitali janë shpërndarë gjerësisht, dhe një prej mediave të para që e publikoi këtë material ishte Daily Mail.

Në një postim në Instagram, Bebe ka shprehur zemërimin e saj për mënyrën se si paparacët e kanë ndjekur dhe fotografuar jashtë spitalit, ndërkohë që ajo vuante nga një grip i rëndë në stomak dhe ishte e shtruar për tre ditë. Ajo shkruan se nuk mund të kuptojë se kush mund të presë jashtë një spitali për të fotografuar njerëz që janë duke u trajtuar për probleme shëndetësore.

“Kam qenë në spital për tre ditët e fundit me një grip të rëndë në stomak dhe ajo isha unë duke hyrë në spital. Kush pret jashtë një spitali për të bërë fotografi të njerëzve që hyjnë?! Kur do të ndalojnë paparacët së shfrytëzuari gratë në momentet e tyre më të këqija!” ka shkruar Bebe, duke theksuar se as e sëmurë nuk mund të jetë në paqe për shkak të paparacëve.

Në një tjetër postim, ajo e ka drejtuar zemërimin e saj direkt ndaj Daily Mail dhe gazetares Sonia Horon, duke e akuzuar për manipulim dhe mungesë të etikës profesionale. Bebe ka komentuar se ishte e turpëruar nga sjellja e gazetarëve që nuk e morën mundimin të theksonin se ajo po shkonte në spital për trajtim, por fokusuam artikullin tek pamja e saj.

“Ju jeni vërtet të neveritshëm. Ju e dinit që ato fotografi të miat u bënë jashtë spitalit. Kush bën fotografi të njerëzve të sëmurë duke hyrë në spital dhe më pas e fokuson artikullin tek pamja e tyre?!” ka shtuar këngëtarja, duke kërkuar që të respektohet privatësia e individëve, sidomos kur ata janë në momente të vështira.

Në fund, Bebe ka përmendur me humor të hidhur se herën tjetër kur të ndihet e sëmurë dhe të shkojë në spital, do të kujdeset që të rregullojë flokët, të vendosë grim dhe të vishet me fustan, për të shmangur kritikat mbi pamjen e saj. Ajo e përfundoi postimin me një mesazh të qartë për shoqërinë dhe mediat, duke e quajtur sjelljen e paparacëve dhe gazetave të tilla si të pasinqertë dhe të dëmshme.

Reagimi i Bebe Rexhës ka nxitur një debat të madh në rrjetet sociale lidhur me etikën e medias dhe paparacëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e personazheve publikë gjatë periudhave të tyre më të vështira shëndetësore. Shumë ndjekës kanë shprehur mbështetje për këngëtaren, duke e mbrojtur të drejtën e saj për privatësi dhe dinjitet.

Ndaj Postimin: