BE vë në pikëpyetje menaxhimin e fondeve në Shqipëri

Komisioni për Kontrollin Buxhetor i Parlamentit Europian shpreh shqetësim për keqpërdorimin e fondeve në të kaluarën në Shqipëri dhe kërkon garanci më të forta.

Një delegacion i Komisionit për Kontrollin Buxhetor, i kryesuar nga eurodeputeti Niclas Herbst, përfundoi një mision në Shqipëri dhe Mal të Zi, duke analizuar menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian. Delegacioni u fokusua tek masat e reja të kontrollit dhe auditimit në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (RGF).

Eurodeputetët vlerësuan ngritjen e strukturave të reja të kontrollit financiar, por njëkohësisht ngritën shqetësime mbi përdorimin e fondeve në Shqipëri, ku rastet e keqpërdorimit në të kaluarën mbeten një plagë e hapur. Herbst theksoi se korrupsioni i rrënjosur dhe dobësitë në sistemin gjyqësor paraqesin rrezik real për suksesin e mekanizmit.

Mes sfidave të përmendura u renditën krimi i organizuar, prokurimet me vonesa të vazhdueshme në infrastrukturë, presionet politike mbi organet e mbikëqyrjes, mungesa e efikasitetit të gjykatave, si dhe margjinalizimi i shoqërisë civile. Për Shqipërinë, kujtesa e abuzimeve të mëparshme me fondet europiane rrit skepticizmin e BE-së për menaxhimin aktual.

Herbst e cilësoi RGF një mundësi historike për Ballkanin Perëndimor, por theksoi se ai do të ketë sukses vetëm nëse shoqërohet me qeverisje të fortë dhe transparencë të plotë. “Nga miratimi i rregullave deri tek krijimi i një kulture të llogaridhënies ka ende një rrugë të gjatë”, deklaroi ai.

Sipas tij, brenda dy deri në tre viteve të ardhshme, Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të tregojnë rezultate konkrete duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të auditimit, si dhe duke përfshirë më shumë shoqërinë civile. Vetëm kështu mund të garantohet besueshmëria e procesit.

Në këtë kuadër, Parlamenti Europian ka paralajmëruar se do të monitorojë me kujdes zbatimin e mekanizmave dhe përdorimin e fondeve. Për Brukselin, kjo është një provë e rëndësishme, pasi në lojë është jo vetëm stabiliteti financiar, por edhe serioziteti i procesit të zgjerimit të BE-së.

Këto paralajmërime vijnë në një moment kritik për Shqipërinë, e cila përpiqet të bindë partnerët europianë se reformat në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit nuk janë thjesht premtime në letër, por hapa konkretë drejt standardeve të BE-së.

Ndaj Postimin: