Udhëheqësit kryesorë të Bashkimit Evropian do të takohen të shtunën, më 22 nëntor, në prag të Samitit të G20-ës në Johanesburg, për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe zhvillimet që lidhen me planin e paqes të propozuar nga Donald Trump.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaruan në një postim të përbashkët në platformën X se Bashkimi Evropian mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij për sovranitetin e Ukrainës.
“Ne folëm me Presidentin Volodymyr Zelensky. Diskutuam situatën aktuale dhe jemi të qartë se asgjë nuk duhet të bëhet për Ukrainën, pa Ukrainën,” thanë Von der Leyen dhe Costa.
Presidenti Zelensky u kishte prezantuar udhëheqësve evropianë planin me 28 pika të propozuar nga Trump, i cili synon t’i japë fund luftës që ka hyrë në vitin e katërt. Dokumenti ka shkaktuar reagime të forta, pasi sipas analizave të AFP-së dhe ISW-së, zbatimi i tij mund të sillte humbje territoriale deri në 20% për Ukrainën dhe njohje de facto të rajoneve të pushtuara nga Rusia.
Von der Leyen theksoi se diskutimet për hapat e ardhshëm do të vazhdojnë gjatë fundjavës:
“Udhëheqësit evropianë do të takohen nesër në margjinat e samitit të G20 në Johanesburg dhe më pas në Angola, ku do të mbahet një samit i përbashkët BE–Bashkimi Afrikan,” u shpreh ajo.
BE-ja pritet të riafirmojë mbështetjen e saj për integritetin territorial të Ukrainës dhe të koordinojë qëndrimin e përbashkët përballë nismës amerikane, ndërsa presioni diplomatik mbi Kievin dhe Moskën po rritet në prag të bisedimeve të mundshme për paqe.


