BE pezullon fondet, kërkohet ndryshim i kulturës politike në Shqipëri

Komisionerja Marta Kos paralajmëron se fondet e IPARD mbeten të pezulluara derisa Shqipëria të ndërtojë një kulturë politike që lufton korrupsionin dhe garanton përdorimin e drejtë të parave të BE-së.

Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar pezullimin e fondeve IPARD për Shqipërinë, duke theksuar se vendi duhet të ndërmarrë ndryshime të thella në kulturën e tij politike për të rikthyer besimin e Bashkimit Europian. Ajo u pyet në lidhje me bllokimin e skemës së financimit pas dyshimeve për korrupsion.

Në deklaratën e saj, Kos theksoi se BE ka përgjegjësi të mbrojë paratë e taksapaguesve europianë. Sipas saj, disa raste të zbuluara në Shqipëri treguan se SPAK po funksionon, çka konfirmon se procesi i pranimit ka dhënë disa rezultate konkrete.

Kos kujtoi se lufta kundër korrupsionit është pjesë e kapitujve “Themelorë”, që kërkojnë angazhim maksimal nga vendet kandidate. Ajo nënvizoi se Shqipëria ka marrë mbështetje të konsiderueshme për reforma, por vendi duhet të intensifikojë përpjekjet për të përmbushur standardet.

Ajo vlerësoi procesin e vettingut në gjyqësor si një hap të rëndësishëm, duke pranuar se reformimi i sistemit të drejtësisë nuk është i lehtë. Megjithatë, Kos u shpreh se rezultatet e SPAK nuk mjaftojnë dhe se nevojitet transformim i vetë politikës shqiptare.

Sipas saj, edhe vendet që kanë ligje të forta kundër korrupsionit dështojnë nëse korrupsioni tolerohet në shoqëri. Ajo nënvizoi se ndryshimi i mentalitetit dhe i praktikave politike është kyç në avancimin drejt BE-së.

Komisionerja theksoi se BE do të mbetet e rreptë në këtë proces dhe nuk do të lëshojë pe kur bëhet fjalë për integritetin financiar dhe transparencën e fondeve. Ajo rikujtoi se prioritet mbetet mbrojtja e fondeve dhe sigurimi që ato të përdoren sipas standardeve europiane.

Vendimi për të pezulluar fondet u mor nga Komisioni Europian pas dyshimeve serioze për keqpërdorim gjatë zbatimit të programit. Për momentin, kjo ndërprerje përfshin programin IPARD, që është një ndër skemat më të rëndësishme të ndihmës për bujqësinë shqiptare.

IPARD ka si synim modernizimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural, duke ofruar mbështetje financiare për fermat, përpunimin e produkteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale. Programi u krijua për të ndihmuar vendet kandidate të përgatiten për politikën e përbashkët bujqësore të BE-së.

Në fazën e dytë të programit, IPARD II (2014–2020), Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro në investime. Ndërsa IPARD III pritej të rriste ndjeshëm fondet, duke arritur vlerën 146 milionë euro.

Pezullimi i fondeve përbën një goditje të fortë për sektorin bujqësor, i cili varet nga këto skema për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të modernizuar prodhimin. Ekspertët paralajmërojnë se bllokimi i financimeve mund të ngadalësojë zhvillimin e shumë projekteve strategjike.

BE ka bërë të qartë se vetëm pas adresimit të plotë të problemeve të korrupsionit dhe garantimit të transparencës së përdorimit të fondeve, programi IPARD mund të rikthehet në funksion të plotë. Për Shqipërinë, kjo mbetet një provë e rëndësishme në rrugën e integrimit europian.

Ndaj Postimin: