BE përgatitet për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, pret formimin e qeverisë së re në Prishtinë

Bashkimi Evropian pritet të rifillojë në mars negociatat për dialogun Kosovë-Serbi, duke u fokusuar te mënyrat për ta bërë këtë proces më funksional.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, deklaroi se së bashku me të dërguarin e ri të posaçëm, Peter Sorensen, po analizojnë hapat e ardhshëm.

“Sapo kemi emëruar Peter Sorensen si përfaqësues të posaçëm për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Në mars do të diskutojmë me të për mënyrën se si do të vijojmë. Është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është i domosdoshëm,” theksoi Kallas gjatë një bisede me gazetarë nga agjenci të ndryshme evropiane.

Sipas saj, progresi në dialog është një kusht i rëndësishëm për rrugëtimin evropian të të dyja vendeve. “Nëse mendojnë se mund të ecin përpara pa këtë proces, atëherë një gjë e tillë nuk është e mundur. Dëgjojmë kritika për formatin aktual të bisedimeve, ndaj duam të gjejmë mënyra për ta bërë atë më efikas,” shtoi ajo.

Kallas tha gjithashtu se ka diskutuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, i cili është shprehur i gatshëm të investojë kohë në normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë, përparimi i mëtejshëm varet edhe nga zhvillimet në Kosovë, ku së fundmi janë mbajtur zgjedhjet. “Do të shohim se si do të formohet qeveria e re dhe në çfarë drejtimi do të ecim më tej,” theksoi përfaqësuesja e BE-së.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, ai ka përfshirë takime në nivel të lartë mes liderëve të dy vendeve, si dhe bisedime mes kryenegociatorëve.

Mandati pesëvjeçar i të dërguarit të mëparshëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, u karakterizua nga përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve. Në fillim të vitit 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, por ende mbeten sfida për zbatimin e saj.

Ndaj Postimin: