BE nuk negocion për lirinë e medias në procesin e integrimit

Marta Kos nga Forumi i Bledit: Integrimi europian kërkon reforma të thella, shtet të së drejtës dhe liri të pakushtëzuar të medias.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dha një mesazh të prerë nga Forumi i Bledit në Slloveni, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Ajo theksoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian nuk njeh rrugë të shkurtra dhe nuk mund të realizohet pa përmbushur kushtet bazë.

Kos u shpreh se prioriteti kryesor mbetet zbatimi i reformave të qëndrueshme, forcimi i shtetit të së drejtës dhe garantimi i lirisë së medias. Sipas saj, këto janë parime themelore dhe të panegociueshme për çdo vend që synon të bëhet pjesë e BE-së.

“Për të pranuar këto vende, ato duhet të zbatojnë reformat. Sundimi i ligjit dhe media e lirë janë të panegociueshme,” deklaroi ajo, duke theksuar se procesi nuk varet vetëm nga vendimmarrja në Bruksel, por edhe nga mbështetja që qytetarët e vendeve kandidate japin për integrimin.

Komisionerja shtoi se udhëheqësit politikë duhet të tregojnë vizion afatgjatë dhe të vendosin interesin e reformave mbi kalkulimet e politikës së përditshme. Ajo kërkoi që liderët të udhëheqin qytetarët drejt këtij qëllimi, duke zgjidhur edhe çështjet e hapura dypalëshe që pengojnë përparimin.

Në fjalën e saj, Kos paralajmëroi se ndryshimet e shpejta gjeopolitike e bëjnë procesin e integrimit edhe më urgjent. Ajo përmendi ndikimin e forcave të jashtme, përfshirë ndërhyrjet ruse në Moldavi, si shembull të përpjekjeve për të minuar procesin europian.

Mesazhi i saj erdhi si një thirrje e qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor që duan anëtarësimin në BE: pa reforma të thella, sundim të ligjit dhe një media të lirë, rruga drejt Brukselit do të mbetet e bllokuar.

Ndaj Postimin: