BE kritikon mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

Bashkimi Evropian dënon vendimin e Kosovës për mbylljen e zyrave serbe në Mitrovicë, duke e quajtur veprim të njëanshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjet.

Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër pas mbylljes së zyrave të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe atij për Sigurime Invalidore e Pensionale në Mitrovicë, të cilat funksiononin sipas sistemit të Serbisë. Sipas BE-së, ky hap bie ndesh me zotimet që Kosova ka marrë ndaj unionit dhe duhet të trajtohej përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Në deklaratën e saj, BE-ja theksoi se këto veprime dëmtojnë jo vetëm procesin e dialogut, por ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët, kryesisht te komuniteti serb. Ajo i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të shmangë provokimet dhe të angazhohet në konsultime me serbët lokalë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut konfirmuan se me asistencën e Policisë së Kosovës u kryen kontrolle në ambientet ku funksiononin këto institucione. Sipas tyre, nuk u gjet dokumentacion i vlefshëm ligjor dhe për këtë arsye aktiviteti u pezullua përkohësisht, ndërsa procedurat do të ndiqen sipas ligjit.

Fondi për Sigurime Shëndetësore në veri ofronte shërbime sipas sistemit serb, duke lëshuar libreza shëndetësore, duke bërë llogaritje dhe pagesa kompensimesh, si dhe duke trajtuar kërkesat për ndihma mjekësore-teknike. Për vite me radhë, institucionet shëndetësore dhe arsimore në zonat serbe të Kosovës kanë funksionuar me rregulla të Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka nisur që prej vitit 2024 mbylljen e institucioneve që i cilëson ilegale, përfshirë Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare dhe organet e përkohshme komunale. Pak ditë më parë, autoritetet morën nën kontroll edhe objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë.

Këto vendime janë kundërshtuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i cilësojnë si veprime të pakoordinuara. Përfaqësuesja e ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, deklaroi se institucionet paralele duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, por shtoi se procesi duhet të ndodhë vetëm nëpërmjet konsultimeve me komunitetin serb.

Ndaj Postimin: