Bashkimi Evropian ka vendosur 104 vëzhgues në terren për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor në Kosovë.
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE, Nathalie Loiseau, e ka konfirmuar këtë të dielën, duke theksuar angazhimin e tyre për të garantuar një proces të drejtë dhe transparent.
“Duam të sigurohemi që të gjithë votuesit mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre,” deklaroi Loiseau për mediat, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes së lirë dhe të papenguar të qytetarëve në votime.
Sipas saj, është ende herët për të dhënë një vlerësim mbi mbarëvajtjen e procesit, por monitorimi do të vazhdojë deri në përfundimin e numërimit të votave.
Misioni i BE-së po ndjek nga afër të gjitha aspektet e zgjedhjeve, përfshirë organizimin, pjesëmarrjen dhe respektimin e standardeve demokratike ndërkombëtare.
Loiseau ka bërë të ditur se të martën do të mbahet një konferencë për shtyp, ku do të paraqiten gjetjet paraprake mbi ecurinë e procesit zgjedhor.
Pritet që raporti i BE-së të japë një pasqyrë të qartë mbi transparencën e zgjedhjeve dhe respektimin e rregullave demokratike nga institucionet dhe partitë politike.
Ndërkohë, vëzhguesit janë shpërndarë në qendrat kryesore të votimit në të gjithë vendin, duke raportuar në kohë reale për çdo parregullsi të mundshme.
Ky angazhim i Bashkimit Evropian është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbështetur demokracinë dhe zhvillimin e institucioneve në Kosovë.