Baza e NATO në Porto Romano, rrjeti hekurudhor dhe të tjera, ja çfarë tha sot Zv. Kryeministria Balluku në komisionin parlamentar për ekonominë dhe financat.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, solli sot një sërë lajmesh të rëndësishme për të ardhmen e infrastrukturës shqiptare.

Në një takim në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ajo tregoi se planet për ndërtimin e një baze të NATO-s në Porto Romano janë tashmë në një fazë të avancuar, duke hapur rrugë për një zhvillim strategjik të rëndësishëm për vendin dhe rajonin.

Në qendër të diskutimeve të saj ishin projektet e mëdha infrastrukturore dhe energjetike për vitin 2025, ku linja hekurudhore që do të lidhë Portin e Porto Romanos dhe bazën e NATO-s me Korridorin VIII u përmend si një prej veprave kyçe. “Kjo linjë do të jetë ndër më të rëndësishmet në Shqipëri,” tha Balluku, duke theksuar se Korridori VIII jo vetëm që forcon lidhjet ekonomike dhe të transportit, por është edhe një faktor i rëndësishëm sigurie.

Një tjetër projekt madhor është rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, që do të integrohet me Korridorin VIII, një rrugë strategjike që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. “Qëllimi kryesor i Korridorit është aksesimi nga Deti Mesdhe në Detin e Zi,” sqaroi ajo, duke përmendur qytetet që do të përfitojnë direkt nga ky zhvillim: Shkup, Sofje, Beograd, Zagreb, Lubjanë e Budapest.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e projekteve hekurudhore është dhe linja Vorë-Hani i Hotit, e cila do të kushtojë rreth 367 milionë euro dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2029. Kjo linjë do të modernizojë 12 stacione hekurudhore dhe do të përmirësojë ndjeshëm transportin e udhëtarëve dhe të mallrave drejt kufirit verior. Balluku theksoi se projekti është pjesërisht financuar nga grantet e BE-së dhe nga kredi të institucioneve financiare europiane.

Një tjetër lajm interesant për qytetarët është se hekurudha e re do të operojë me elektricitet, një hap drejt përputhjes me kërkesat e BE-së për transport ekologjik. “Kostoja për elektrifikimin e hekurudhave vlerësohet të jetë rreth 21 milionë euro,” tha ajo, duke shtuar se investimi është i rëndësishëm për të siguruar një transport hekurudhor pa emetime dhe për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave drejt kufijve me Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.

Një zhvillim tjetër strategjik për transportin hekurudhor është përfundimi i studimit për një lidhje të re mes Shqipërisë dhe Kosovës, përmes Shkodrës. Balluku bëri të ditur se disa opsione teknike janë shqyrtuar, duke përfshirë Rrugën e Kombit dhe lidhjet me Shkodrën dhe Gjakovën, që tashmë janë zgjedhur si itinerare të preferuara.

Në fund, Zëvendëskryeministrja njoftoi edhe ndërlidhjen e Portit Ndërkombëtar të Vlorës me qendrën e qytetit përmes një segmenti të ri hekurudhor që do të lidhet më tej me linjën Fier-Rrogozhinë. Këto projekte ambicioze, që përfshijnë si infrastrukturën rrugore ashtu edhe atë hekurudhore, pritet të transformojnë ndjeshëm rrjetin e transportit në Shqipëri, duke e bërë vendin një pikë kyçe lidhëse në rajon.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera