Policia e Kosovës zbulon sasi të mëdha armatimi në veri, Sveçla paralajmëron për kërcënime serioze të mbështetura nga struktura kriminale serbe
Në një operacion të zhvilluar mëngjesin e sotëm në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit, njësitet speciale të Policisë së Kosovës, të koordinuara me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës dhe Prokurorinë, kanë kryer një bastisje të gjerë nën vëzhgimin e KFOR-it dhe EULEX-it. Bastisja u përqendrua në një pronë që rezultoi të jetë në pronësi të politikanit serb Aleksandar Arsenijeviç.
Sipas autoriteteve, në këtë vend u zbulua një arsenal i madh armësh, duke përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tromblona, armë automatike dhe sasi të mëdha municioni. Sipas Ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ky armatim mund të përdoresh nga një njësi e organizuar terroriste.
“Goditëm një strukturë që përbënte rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Krimi nuk fshihet pas asnjë petku politik kur përballet me institucionet që punojnë pa pushim për rend dhe siguri,” u shpreh Sveçla përmes një reagimi zyrtar pas aksionit.
Ai shtoi se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë operacionet e tyre pa kompromis, me synimin për të çrrënjosur çdo përpjekje destabilizuese që, sipas tij, buron nga struktura që operojnë nën ndikimin e Serbisë. Sveçla e cilësoi këtë bastisje si një hap të rëndësishëm për garantimin e sundimit të ligjit në veri.
Zona e komunave veriore, e banuar në pjesën më të madhe nga serbë, ka qenë shpesh arenë e tensioneve dhe incidenteve me grupe të armatosura që sfidojnë autoritetin e Prishtinës. Zbulimi i sotëm ngre shqetësime të reja për rrezikun e një destabilizimi të mundshëm në këtë pjesë të vendit.
Autoritetet po hetojnë më tej lidhjet e mundshme të kësaj magazine armësh me grupe ekstremiste që mund të synojnë destabilizimin e situatës në Kosovë dhe rajon. Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare pritet të mbajë një qëndrim lidhur me zhvillimet e fundit në terren.
Operacioni në Vallaq është një tjetër sinjal i qartë se institucionet e Kosovës janë të vendosura të mos tolerojnë struktura kriminale apo terroriste, pavarësisht lidhjeve të tyre politike apo etnike.