Bashkitë marin 21 milionë euro për mbrojtjen nga zjarri në 2025

Bashkitë shqiptare do të përfitojnë 21 milionë euro për mbrojtjen nga zjarri gjatë vitit 2025, por sistemi mbetet i dobët dhe i paadaptuar ndaj sfidave të mëdha që sjellin zjarret, sidomos në zonat malore dhe bregdetare.

Situata me zjarret në Shqipëri ka marë përmasa shqetësuese, veçanërisht në zonat jugore bregdetare, ku vetëm deri më 27 korrik janë regjistruar 45 vatra zjarri në gjithë vendin. Nga këto, 21 janë ende aktive, ndërsa 16 janë në monitorim të vazhdueshëm. Bashkitë më të prekura janë Lurë, Mat, Bulqizë, Delvinë, Gramsh, Elbasan, Pogradec, Mirditë, Berat dhe disa zona të tjera malore dhe pyjore, ku ndërhyrja është e vështirë.

Për vitin 2025, 61 bashkitë e Shqipërisë kanë siguruar një fond prej 2.1 miliardë lekësh, rreth 21 milionë euro, për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri. Ky fond, i financuar nga transferta e pakushtëzuar nga buxheti i shtetit, shënon një rritje prej 36% krahasuar me vitin 2024. Bashkia e Tiranës përfiton shumën më të madhe, me rreth 275 milionë lekë, që përbën 13% të totalit dhe është dyfish më shumë se një vit më parë. Pas saj renditet Durrësi, me 94.5 milionë lekë fonde, një rritje prej 63%.

Bashkitë e tjera kryesore përfitues janë Kukësi me 75.3 milionë lekë, Elbasani me 70.2 milionë lekë, Fier me 64.3 milionë, Vlora me 63.6 milionë, Kamza me 61.3 milionë, Lezha me 52.1 milionë dhe Korça me 43.9 milionë lekë, të gjitha me rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2024.

Megjithatë, drejtori i Institutit të Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, vë në dukje se këto fonde shkojnë kryesisht për pagat, sigurimet dhe karburantin, ndërsa pajisjet dhe makineritë janë të amortizuara dhe infrastruktura është jashtëzakonisht e dobët. Ai thekson mungesën e flotës ajrore dhe të teknologjisë për zbulimin e hershëm të zjarreve, si dhe mungesën e investimeve në rrugë ndërhyrjeje, korridore sigurie dhe stacione uji.

Raporti i Institutit të Bashkive për vitin 2024 nxjerr në pah se Shqipëria u përball me një sezon të rëndë zjarresh, ku u dogjën mbi 46 mijë hektarë pyje dhe kullota. Në të njëjtën kohë, thuhet se gjysma e bashkive nuk kishin plane menaxhimi për pyjet që administrojnë. Mungesa e personelit dhe automjeteve zjarrfikëse në raport me popullsinë është shqetësuese, veçanërisht në kryeqytet dhe bashkitë e mëdha.

Duke pasur parasysh këto të dhëna dhe shpërndarjen jo të barabartë të burimeve, Instituti i Bashkive rekomandon rritjen e transfertave për mbrojtjen nga zjarri. Shtimi i fondeve duhet të përqendrohet në modernizimin e flotës së automjeteve zjarrfikëse, rritjen e numrit të zjarrfikësve dhe krijimin e fondeve emergjente për situata kritike. Po ashtu, duhet hartuar planifikim i detajuar i menaxhimit të rrezikut, duke marrë parasysh karakteristikat specifike të çdo bashkie, dhe zhvilluar kapacitete për shuarjen e zjarreve në pyje, të ndryshme nga ato urbane.

Ndaj Postimin: