Bashkitë kërkojnë fonde më të mëdha për përballimin e zjarreve

Shumë bashki në vend po përballen me zjarre masive, ndërsa ekspertët kërkojnë rishpërndarje të buxhetit për të rritur kapacitetet operative në terren.

Prej disa ditësh, 13 qarqe të Shqipërisë janë prekur nga një situatë e rëndë me 37 vatra zjarri, prej të cilave 30 mbeten ende aktive. Mbrëmja e djeshme solli alarmin më të madh në qarkun e Vlorës, sidomos në bashkinë e Delvinës, ku autoritetet urdhëruan evakuimin e pacientëve dhe stafit të spitalit, pasi flakët rrezikonin të përfshinin godinën. Ata u zhvendosën në ambientet e kinotekës, ndërsa sot situata është më e qetë dhe zjarret janë zhvendosur në zona të largëta, ku po ndërhyhet me mjete tokësore dhe ajrore.

Për vitin 2025, 61 bashkitë e vendit do të kenë në dispozicion 2,1 miliardë lekë (rreth 21 milionë euro) nga buxheti i shtetit për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri, me një rritje prej 36% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, fondi për emergjencat civile arrin në 5,4 miliardë lekë (rreth 55 milionë euro), vetëm 1,4% më shumë se një vit më parë.

Drejtori i Institutit të Bashkive, Agron Haxhimali, apelon për rishpërndarje të fondeve, duke theksuar se bashkitë që përballen drejtpërdrejt me zjarret duhet të marrin më shumë mbështetje financiare. Ai nënvizon se aktualisht 61 bashkitë zotërojnë 70 stacione zjarrfikëse që mbulojnë gjithë territorin, por kapacitetet teknike dhe logjistike mbeten të kufizuara.

Sipas tij, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila ka një buxhet prej 55 milionë eurosh në vit, luan kryesisht një rol koordinues dhe mbikëqyrës, pa kapacitete të plota operacionale në terren. Haxhimali sugjeron që një pjesë më e madhe e fondeve të shkojë direkt te bashkitë për pajisje moderne, automjete speciale, dronë monitorimi dhe sisteme të alarmit të hershëm.

Të dhënat tregojnë se bashkia Tiranë përfiton fondin më të madh për vitin 2025, me 275 milionë lekë, një rritje prej 104% krahasuar me një vit më parë, duke zënë 13% të totalit të fondit kombëtar për mbrojtjen nga zjarri. Pas saj renditen Durrësi me 94,5 milionë lekë (+63%), Kukësi me 75,3 milionë lekë (+19,6%) dhe Elbasani me 70,2 milionë lekë (+74,6%).

Në listë vijojnë Fieri me 64,3 milionë lekë (+63%), Vlora me 63,6 milionë lekë (+31%), Kamza me 61,3 milionë lekë (+16%), Lezha me 52,1 milionë lekë (+21%) dhe Korça me 43,9 milionë lekë (+25%). Sipas ekspertëve, kjo shpërndarje duhet të jetë më fleksibël, në mënyrë që bashkitë e prekura rëndë nga zjarret të marrin fonde shtesë për të reaguar shpejt dhe me efikasitet.

Ndaj Postimin: