Pas një sezoni turistik të suksesshëm në Pogradec, bashkia ka nisur përkujdesjen për vijën turistike breg-liqenore.
Bizneset si baret, restorantet, dhe hotelet që operojnë përgjatë liqenit janë angazhuar për pastrimin e ambienteve përreth aktivitetit të tyre, duke u përkujdesur që zona të mbetet e pastër dhe tërheqëse për vizitorët e ardhshëm.
Për fat të keq, disa biznese kanë lënë pas struktura të përkohshme si rrethoja dhe shtylla druri, duke krijuar një pamje jo të mirë dhe duke ndotur hapësirat publike. Për këtë arsye, Shërbimet e Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Mjedisit dhe ndërmarrjen e pastrimit të qytetit, kanë ndërhyrë për të larguar të gjitha objektet e panevojshme përgjatë shëtitores, deri në Tushemisht.
Bashkia është e vendosur për ta mbajtur vijën breg-liqenore të pastër dhe të mirëmbajtur, duke mbrojtur mjedisin dhe promovuar një hapësirë mikpritëse për qytetarët dhe vizitorët. Gjatë patrullimeve të vazhdueshme, autoritetet janë angazhuar të monitorojnë për ndonjë hedhje të paligjshme mbetjesh në rrugë, trotuare apo pranë koshave të vegjël të shëtitores.
Kur konstatohen raste të hedhjes së mbetjeve në hapësira publike, bashkia ndërmerr masa administrative kundër kundravajtësve, të cilët me veprimet e tyre jo të rregullta dëmtojnë harmoninë e qytetit dhe imazhin e tij. Kjo qasje synon të forcojë ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë e komunitetit për një mjedis më të pastër.
Të gjitha këto përpjekje janë pjesë e një strategjie më të gjerë të bashkisë për të ruajtur bukurinë natyrore të Pogradecit dhe për t’u siguruar që qyteti të mbetet një destinacion i dashur për turistët dhe banorët e tij.
Autoritetet inkurajojnë qytetarët dhe bizneset të bashkëpunojnë për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe gjelbërimit, duke ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të pastër për të gjithë. Kjo jo vetëm që e bën Pogradecin më tërheqës, por ndihmon në zhvillimin e tij të qëndrueshëm si destinacion turistik.
Me përkushtimin e bashkisë dhe bashkëpunimin e komunitetit, vijën breg-liqenore po bëhet një shembull i pastërtisë dhe mikpritjes, duke lënë një përshtypje pozitive për të gjithë ata që vizitojnë Pogradecin.