Bardhi shpërthen ndaj komisioneres Kos: “Zëdhënëse e qeverisë së korruptuar”

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, reagoi ashpër ndaj Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, pas deklaratave të saj për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe marrjen e saj të pandehur nga SPAK. Në një deklaratë nga selia blu, Bardhi sfidoi hapur komisioneren që të sjellë një rast të vetëm të ngjashëm korrupsioni në Europë, duke e akuzuar se po flet si “zëdhënëse e një qeverie të korruptuar të Edi Ramës”.

Ai komentoi edhe qëndrimin e komisioneres për raportin e OSBE-së për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar deklaratën e saj si më ekstreme se vetë retorika e kryeministrit.

“E sfidoj komisioneren e Zgjerimit dhe çdo zyrtar të BE-së të gjejë një kryeministër që, para se të shpallet gara prej 200 milionë eurosh, shkon bashkë me zv.kryeministrin të takojë kompaninë, e më pas hap garën dhe ia jep pikërisht asaj kompanie. Nëse komisionerja Kos gjen një rast të tillë, ne e pranojmë. Por Europa nuk ka raste të tilla,” tha Bardhi.

Ai i bëri thirrje komisioneres Kos të flasë për standardet europiane dhe jo të mbulojë, sipas tij, korrupsionin e qeverisë Rama. Lidhur me komentet e saj për raportin e OSBE-së, Bardhi shtoi: “Këtë nuk e tha as Edi Rama. Me atë deklaratë do të turpërohej edhe vetë Rama. Asnjë komisioner i OSBE-së nuk ka artikuluar gjë të tillë.”

Ndaj Postimin: