Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po shmang transparencën dhe refuzon debatin mbi integrimin europian, duke mos pranuar zhvillimin e mocionit këtë të enjte.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ngriti me forcë kërkesën që Kuvendi të zhvillojë një mocion me debat ditën e enjte, të fokusuar në programin qeveritar dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kjo kërkesë u diskutua në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, por mazhoranca e refuzoi, duke nxitur reagime të forta nga opozita. Bardhi theksoi se kërkesa është plotësisht e ligjshme dhe në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
Ai argumentoi se, pasi nuk është caktuar një seancë plenare për këtë ditë, zhvillimi i mocionit do të ishte i përshtatshëm dhe i domosdoshëm për të vlerësuar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Sipas Bardhit, mazhoranca po shmang transparencën dhe po i ikën përballjes përballë qytetarëve. Ai akuzoi se refuzimi i këtij mocioni tregon mungesë guximi për të dhënë llogari mbi premtimet e bëra.
“Ju ishit ata që akuzonit opozitën se nuk kërkon debat. Sot jeni ju që e shmangni debatin. Sot faktoni se kush nuk ka bilanc dhe kush nuk guxon të përballet me qytetarët,” deklaroi Bardhi.
Në vijim, ai theksoi se mazhoranca nuk ka një program të qartë për procesin e integrimit. Sipas tij, refuzimi për të zhvilluar mocionin është shenjë e mungesës së vullnetit politik për të përballuar këtë sfidë.
Kreu demokrat shpjegoi se anëtarësimi në BE është shpallur si prioritet, por qeveria nuk ka asnjë plan konkret për ta çuar përpara. Ai tha se ky debat do t’i shërbente si mazhorancës, ashtu edhe qytetarëve, për të parë realisht ku ndodhet Shqipëria.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Bardhi goditi fort qeverinë duke thënë se i vetmi bilanc i saj lidhet me udhëtimet për takime, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe koncesionet e reja.
Ai u shpreh se prioritetet e mazhorancës nuk lidhen me integrimin evropian, por me interesa të ngushta ekonomike e politike, duke lënë jashtë fokusit interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit.