Në një vizitë në fshatrat e Roskovecit, Gazment Bardhi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, ka takuar fermerët dhe banorët e zonës për të diskutuar mbi situatën e tyre të vështirë dhe mbështetjen që ata kërkojnë nga qeveria për të vijuar punën në tokën e tyre.
Gjatë takimit me fermerët në fshatin Suk, Bardhi theksoi se programi i Partisë Demokratike ofron zgjidhje për disa nga problemet më të mëdha të fshatrave, me një fokus të veçantë në zhvillimin e bujqësisë intensive. Sipas tij, bujqësia intensive, që ka sjellë produkte që janë eksportuar për vite me radhë, është një mundësi e madhe që kërkon mbështetje.
Në këtë takim, Bardhi sqaroi se mbështetja për fermerët është një pjesë e rëndësishme e planit të emergjencës 100-ditore të Partisë Demokratike. Ai shtoi se ky plan do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për ata që punojnë në bujqësi, duke përfshirë ndihmën financiare dhe lehtësira të tjera që do të ndihmojnë fermerët të dalin nga vështirësitë ekonomike.
Bardhi theksoi se Partia Demokratike ka hartuar një listë të shqetësimeve kryesore të fermerëve dhe ka për prioritizuar ato që janë më urgjente. Ai deklaroi se, pas katër vitesh, do të kthehen në këto zona dhe do të përballen me qytetarët për të parë se sa janë realizuar premtimet e dhëna. “Ne nuk mund të zgjidhim gjithçka menjëherë, por kemi marrë vetëm ato që janë shqetësimet kryesore dhe këtu, bujqësia është prioritet,” theksoi ai.
Fermerët, gjatë takimit, ngritën shqetësime të tjera lidhur me ndikimin e projektit “Open Balkan”, që sipas tyre, ka pasur pasoja të mëdha për konkurrencën e tregut të bujqësisë. Një prej fermerëve, Ilir Ruko, shprehu pakënaqësinë për situatën e krijuar nga ky projekt, duke thënë se konkurrenca me Serbinë dhe Maqedoninë është tepër e fortë dhe nuk mund të përballohen me të.
“Neve na mori m’qaf edhe ky Open Ballkan. Nuk konkurojmë dot ne me serbin, me maqedonasin. Dhe kështu që Open Ballkan na groposi. Këtu në fshat ska mbetur këmbë njeriu,” u shpreh fermeri, duke theksuar pasigurinë e të rinjve për të qëndruar në fshat dhe dëshirën për të migruar.
Në këto takime, Bardhi ishte i shoqëruar nga kandidati i PD për deputet në këtë zonë, Pelivan Bufi, i cili gjithashtu theksoi rëndësinë e përkrahjes së fermerëve dhe zhvillimit të bujqësisë si një prioritet kombëtar.