Bardhi denoncon tenderat korruptivë në Bashkinë Tropojë: SPAK të veprojë, Këshilli i Ministrave të shkarkojë Biberajn

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza të rënda ndaj punës së Komisionerit të Prokurimit Publik dhe ka kritikuar faktin se janë krijuar skema korruptive të ngjashme me ato në Bashkinë e Tiranës, të cilat po vazhdojnë të ndodhin edhe në bashkitë e tjera të vendit.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, Bardhi u ndal te Bashkia e Tropojës dhe akuzoi kryetarin e saj, Rexh Biberaj, për shpërdorim të fondeve publike dhe konflikt interesi, duke përmendur tendera korruptivë në vlerë të konsiderueshme.

Sipas Bardhit, Biberaj ka dhënë tendera në vlerë rreth 5 milion euro për kushëririn e tij, një veprim që ai e quajti të papranueshëm dhe të dëmshëm për buxhetin e shtetit. “Kryetari i Bashkisë Tropojë i jep tenderat djalit të xhaxhait. Janë dy kompani të regjistruara në emër të kushëririt të tij dhe vetëm në tre vitet e fundit i ka dhënë më shumë se 4.7 milion euro. Përfitojnë nga kontrata për ndërtimin e tregut të bagëtive, një treg që, në fund, nuk ekziston. Ka përfituar edhe tre procedura të tjera tërësisht korruptive, të cilat janë ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, por edhe pse kishte oferta më të ulëta, fitues shpallet gjithmonë djali i xhaxhait,” tha Bardhi.

Ai e cilësoi këtë situatë si një shembull të qartë të korrupsionit dhe kërkoi që SPAK (Prokuroria e Posaçme) të ndërhyjë pa vonesa. Bardhi kërkoi gjithashtu që Këshilli i Ministrave të veprojë për të shkarkuar Rexh Biberajn, duke theksuar se, sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky veprim është një detyrim ligjor. “Ligji për vetëqeverisjen vendore detyron Këshillin e Ministrave të shkarkojë nga detyra Rexh Biberajn, sipas nenit 62/1/a të ligjit. Mosveprimi i Këshillit të Ministrave është një shkelje flagrante e ligjit,” tha ai.

Bardhi nuk ndali kritikat për Biberajn, duke përmendur akuzat për shpërdorim të detyrës dhe veprime të paligjshme, si prerje të pyjeve dhe shkatërrim të pronës shtetërore, që i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh financiar prej 2.8 milionë euro. Ai theksoi se këto veprime duhet të ndëshkohen dhe bëri thirrje për një hetim të thelluar nga SPAK.

“Bardhi bëri thirrje që SPAK të mbrojë interesin publik dhe të hetojë këto tendera korruptivë, të cilat janë realizuar në kushte të konfliktit të interesit dhe që kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit,” tha ai. Ai theksoi se është e domosdoshme që drejtësia të veprojë pa vonesa dhe të mos lejojë që këto skema të korrupsionit të kalojnë pa u ndëshkuar.

Në përfundim, Bardhi bëri apel për një veprim të menjëhershëm të institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar që të shpëtohet nga ky sistem i dëmshëm dhe që qytetarët e Tropojës të kenë një administratë të pastër dhe transparente.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera