Bardhi deklaron se në këtë situatë nuk mund të ketë normalitet në Kuvendin e Shqipërisë.

Deputetët e PD-së kanë vendosur të mos lejojnë zhvillimin e seancave në Kuvend në mënyrë të qetë.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi sqaroi se vetëm ligjvënësit që nuk janë të përjashtuar do të marrin pjesë në seancë.

“Deputetët e opozitës që janë të pranishëm në seancë do të bëjnë çfarë është e mundur për të ndikuar në rrjedhën e saj,” tha Bardhi. Ai mohoi që të ketë pasur debate të ashpra gjatë mbledhjes dhe theksoi se deputetët e përjashtuar nga Kuvendi do të angazhohen në zonat e tyre për organizimin e strukturave të partisë për protestën e së martës.

“Deputetët e përjashtuar do të punojnë me degët e PD-së për të përgatitur protestën e 29 tetorit, një manifestim për mosbindje civile që do të zhvillohet në 6 pika të caktuara,” shpjegoi Bardhi, duke theksuar se protesta është pjesë e vijimit të aksionit opozitar, i cili do të zhvillohet si në Kuvend, ashtu edhe në rrugë. Protesta do të nisë të martën, në orën 17:00.

Kryetari i Grupit Parlamentar pati një paralajmërim për Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, pas njoftimit të këtij të fundit se bllokimi i rrugëve konsiderohet vepër penale.

“Proda është një emërim i dyshimtë dhe le të qëndrojë në detyrë edhe disa ditë, se do shohim çfarë do të dalë nga hetimet,” paralajmëroi Bardhi, duke nënvizuar se denoncimet e opozitës kanë dalë të sakta më parë dhe janë bindur se kështu do të ndodhë edhe tani. Sipas tij, policia është njoftuar për protestën dhe, si në rastin e bllokimit të rrugëve për maratonat e organizuara nga Bashkia e Tiranës, edhe këtë herë bllokimet do të jenë për shkak të mosbindjes civile të qytetarëve.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera