E premtja e 29 nëntorit ishte një ditë e veçantë për FC Barcelona, e cila festoi 125-vjetorin e saj në një ceremoni madhështore të mbajtur në “Gran Teatre del Liceu”.
Me mbi 2,000 të ftuar, përfshirë figura ikonike të së shkuarës dhe të tashmes, klubi katalanas përkujtoi rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm që nga themelimi në vitin 1899 nga Hans Gamper.
Kur Gamper shpalli nismën e tij për krijimin e një klubi futbolli për vendasit dhe të huajt, askush nuk mund të kishte parashikuar suksesin e jashtëzakonshëm që do të ndiqte Barcelonën. Sot, katalanasit janë ndër klubet më të njohura në botë, pavarësisht sfidave financiare që kanë përballuar vitet e fundit.
Në aspektin sportiv, Barcelona vazhdon të përparojë. Ata janë kthyer në Champions League dhe mbeten një nga kandidatët kryesorë për titullin në La Liga, me yje si Lamin Jamal, një talent i rrallë nga La Masia, që po spikat krah veteranëve si Robert Levandovski dhe Marc-André ter Stegen.
Trashëgimia e Barçës
Në këto 125 vite, Barcelona ka krijuar momente të pashlyeshme për botën e futbollit. Nga legjenda si Johan Krojf, Ronaldinjo dhe Mesi, deri te emrat e shquar vendas si Ksavi, Iniesta dhe Pujol, klubi ka eksportuar ADN-në blaugrana në të gjithë globin. Përveç lojtarëve, trajnerë vizionarë si Guardiola dhe Krojf kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën e të kuptuarit të futbollit.
Shtëpia që mungon
Një pengesë në festimet e përvjetorit është mungesa e stadiumit “Spotify Camp Nou”, që aktualisht po rimodelohet për të reflektuar historinë e klubit. Nga fillimet e thjeshta në Velodromin e Bonanovës deri te ndeshjet e sotme në “Olimpik Montjuiç”, Camp Nou mbetet shtëpia e madhe e Barçës, ku janë shkruar kapitujt më të rëndësishëm të historisë së klubit.
Trofetë dhe lavdia
Barcelona numëron 66 trofe madhorë, përfshirë 27 tituj në La Liga, 5 Liga të Kampionëve dhe 31 Kupa të Mbretit. Pjesë e këtij trashëgimie janë edhe arritjet individuale, si “Topi i Artë” i Lionel Mesit dhe çmimet e talentëve të rinj si Gavi, Pedri dhe Lamin Jamal.
Një natë për të mbajtur mend
Mbrëmja festive përfshiu presidentët e kaluar dhe të tashëm të klubit, si dhe figura historike si Ronald Kuman, i cili dhuroi Champions-in e parë për katalanasit. Përveç kësaj, gjatë ceremonisë u prezantua edhe një këngë-himn, që do të shoqërojë të gjitha aktivitetet e përvjetorit.
Me një histori të pasur plot suksese dhe ndikim global, Barcelona jo vetëm që feston të kaluarën e saj të lavdishme, por sheh drejt të ardhmes me ambicie dhe optimizëm.