Barazim tjetër, 4 ndeshje pa fitore për Lushnjën në takimin me Luftëtarin

Lushnja dhe Luftëtari ndanë nga një pikë në stadiumin “Roza Haxhiu”, duke regjistruar barazimin e katërt radhazi në nisje të këtij sezoni.

Takimi i javës së katërt të Kategorisë së Parë nuk solli fitore për asnjërën skuadër. Verdhejeshilët e Lushnjës dhe bluzinjtë e Luftëtarit u ndalën në një 1-1 që reflekton vështirësitë e të dy ekipeve për të gjetur rrugën e fitores, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Pjesa e parë ishte e zbehtë dhe u mbyll pa gola, me pak raste të rrezikshme nga të dyja palët. Sapo nisi fraksioni i dytë, vendasit kaluan në avantazh duke ndezur entuziazmin e tifozëve lushnjarë.

Megjithatë, gëzimi zgjati shumë pak. Një autogol i Ntephes riktheu baraspeshën, duke i komplikuar planet e Lushnjës për të marrë tre pikët e para të sezonit. Loja u bë më e fortë dhe e mbushur me episode të diskutueshme.

Skuadra vendase protestoi pas anulimit të një goli të shënuar nga Canka, ndërsa Cereni dhe Zani rrezikuan me goditje që u ndalën në traversë. Nga ana tjetër, gjirokastritët kërkuan një gol të pavlerësuar, duke pretenduar se topi kishte kaluar vijën fatale pas pritjes së portierit Haremi.

Pavarësisht tensionit dhe rasteve në të dy portat, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Ky barazim e mban të dyja skuadrat pa fitore pas katër javësh kampionat.

Starti i dobët ka shtuar presionin te stafet teknike dhe lojtarët, ndërsa tifozët presin me padurim një reagim për të ndryshuar ecurinë në renditje.

Ndaj Postimin: