Barazim pa gola në Durrës: Teuta dhe Bylis ndajnë pikët në “Niko Dovana”

Një tjetër sfidë pa fitues u regjistrua në kampionatin shqiptar, ku Teuta dhe Bylis u ndanë me barazim 0-0 në “Niko Dovana”.

Ndeshja, që mbylli javën e 19-të të Superiores, solli momente tensioni dhe raste shënimi, por asnjëra skuadër nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës.

Ballshiotët nisën më mirë dhe regjistruan rastin e parë serioz në minutën e 24-të. Kamar testoi aftësitë e portierit Tafas me një gjuajtje të fuqishme, por “gardiani” i Teutës u tregua i sigurt, duke shmangur golin.

Përgjigjja e durrsakëve erdhi në minutën e 35-të, kur Bocci iu afrua golit me një goditje me kokë. Megjithatë, portieri Hasanbelli u shfaq i jashtëzakonshëm, duke devijuar topin dhe ruajtur rrjetën të paprekur. Pjesa e parë u mbyll pa emocione të tjera të mëdha.

Në fraksionin e dytë, të dy ekipet shtuan ritmin. Një episod që mund të kishte ndryshuar fatin e ndeshjes ndodhi në minutën e 61-të, kur Marku i Bylis ishte afër të shënonte në portën e tij pas një devijimi të pakontrolluar. Për fatin e mirë të miqve, topi përfundoi jashtë.

Teuta dhe Bylis tentuan deri në minutat e fundit për të rrëmbyer tri pikët. Durrsakët, të drejtuar nga Edi Martini, u përpoqën të përfitonin nga sulmet e shpejta, ndërsa skuadra e Nevil Dedes u mbrojt mirë dhe kërkoi të godiste me kundërsulme. Megjithatë, përpjekjet e të dyja palëve u neutralizuan nga mbrojtjet respektive dhe portierët në formë.

Me këtë barazim, Teuta mban vendin e gjashtë në renditje me 23 pikë, ndërsa Bylis mbetet në vendin e parafundit me 18 pikë, duke vazhduar luftën për mbijetesë.

Kampionati shqiptar do të pushojë deri në fillim të vitit të ardhshëm, kur ekipet do të rikthehen në fushë për pjesën e mbetur të sezonit. Ndërkohë, barazimi në “Niko Dovana” lë të dyja skuadrat me ndjesinë e pikëve të humbura, duke e komplikuar edhe më shumë garën për objektivat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera