Banorët e Zvezdës kundër projektit të ujësjellësit

Banorët e Zvezdës kërkojnë ndryshimin e projektit të ujësjellësit, ndërtimin e depozitës në fshatin e tyre dhe transparencë në procesin vendimmarrës.

Banorët e fshatit Zvezdë, në bashkinë Maliq, dolën sërish në protestë të dielën në mëngjes, duke kundërshtuar mënyrën se si po zbatohet projekti për furnizimin me ujë të pijshëm. Ata akuzojnë autoritetet për mungesë standardesh dhe shkelje të interesit të komunitetit.

Ky projekt, i nisur rreth dy javë më parë, ishte pritur me shpresë nga banorët pas më shumë se tre dekadash mungese të ujit të pijshëm. Por, sipas tyre, punimet e deritanishme kanë treguar mangësi serioze, duke rrezikuar që historia e mungesës së ujit të përsëritet.

“Që në fillim pamë probleme të dukshme në cilësi. Nuk kemi pritur 30 vite për të marrë ujë me probleme,” shprehet një nga banorët e revoltuar.

Një nga pikat kryesore të debatit është vendndodhja e depozitës së ujit. Projekti parashikon ndërtimin e saj në fshatin Burimas, por banorët e Zvezdës insistojnë që ajo të ndërtohet në territorin e tyre, ku ndodhen burime natyrore të mjaftueshme për furnizim.

“Këtu kemi burime të pastra dhe të bollshme. Nuk ka logjikë të sjellim ujë nga një fshat tjetër, duke shpenzuar më shumë dhe rrezikuar cilësinë,” shton një tjetër protestues.

Komuniteti kërkon transparencë të plotë mbi përmbajtjen e projektit dhe përfshirje direkte në vendimmarrje. Ata paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë derisa të merren parasysh kërkesat e tyre dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme.

Ndaj Postimin: