Banorët e Verbasit në Bashkinë Patos shprehin pakënaqësi për mungesën e shërbimeve bazë

Banorët e fshatit Verbas, në Bashkinë Patos, shprehen të zhgënjyer dhe fajësojnë kryetarin e fshatit, Bilbil Çepele, për braktisje të komunitetit dhe për mbrojtje të interesave të drejtuesve vendorë.

Sipas banorëve, prej kohësh nuk është zgjidhur asnjë nga problemet kryesore që prekin jetën e tyre të përditshme. Ata rendisin si shqetësime kryesore mungesën e shërbimit të përditshëm shëndetësor, problematikat me kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, mungesën e ndriçimit publik në rrugët e lagjeve periferike, si dhe çështje të tjera infrastrukturore.

Banorët kanë deklaruar për TV Apollon se i kanë ngritur vazhdimisht këto shqetësime pranë kryetarit të fshatit, Bilbil Çepele, por sipas tyre nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete. I njëjti burim pohon se i kanë kërkuar kryetarit të fshatit ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse, por deri tani nuk ka pasur reagim.

Sipas tyre, situata vijon të mbetet e pazgjidhur, ndërsa banorët kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje konkrete për problemet që ndikojnë drejtpërdrejt në përditshmërinë e tyre.

Nga ana tjetër, kryetari i fshatit Verbas, Bilbil Çepele, i hedh poshtë akuzat e ngritura nga komuniteti që ai përfaqëson. Ai pohon se të gjitha shqetësimet, ankesat dhe kërkesat e banorëve ia ka përcjellë kryetarit të Bashkisë Patos dhe drejtorive përkatëse, por sipas tij ka munguar reagimi nga institucionet përgjegjëse.

Çepele thekson se, pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme me strukturat përkatëse, nuk ka pasur ndërhyrje konkrete për zgjidhjen e problemeve. “Unë kam bërë detyrën time si përfaqësues i komunitetit”, është shprehur ai, duke shtuar se ndihet i shqetësuar nga akuzat publike që po i bëhen.

Ai thekson se situata në Verbas vazhdon të mbetet e pazgjidhur dhe se banorët kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për zgjidhjen e problemeve që prekin jetën e tyre të përditshme.

Banorët e Verbasit shprehen se nuk kërkojnë privilegje apo favore, por vetëm shërbime bazë dhe dinjitet.

Sipas tyre, kur mungon shërbimi shëndetësor, kur kanalizimet mbeten një problem i përditshëm dhe kur zëri i komunitetit nuk dëgjohet, atëherë kemi të bëjmë jo thjesht me neglizhencë, por me një braktisje institucionale.

Banorët theksojnë gjithashtu se kryetari i fshatit dhe drejtuesit e bashkisë duhet të kuptojnë se mandati që kanë kërkuar duke trokitur në çdo derë nuk është një titull nderi, por një përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Sipas tyre, Verbasit nuk i duhen justifikime, por veprime konkrete për zgjidhjen e problemeve, të cilat do të shërbenin si një tregues i kujdesit të pushtetit lokal ndaj komunitetit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033