Banorët e Valbonës kërkojnë mosprishjen e bujtinave, të cilat thonë se i kanë ndërtuar me lejen e shtetit dhe të ardhurat që vijnë nga lënia me qera e tyre.
Ata theksojnë se të ardhurat i sigurojnë atyre mbulimin e nevojave bazë dhe se për ta është e pamundur që të kenë një jetë normale pas kësaj ndërhyrje nga shteti. Ndonëse të moshuar ata nuk ngurrojnë të përgjigjen me forcë e vendosmëri ndaj asaj që ata e quajnë një ndërhyrje totalisht në shkelje të ligjit.
“Jam plot me ilaçe, dhe e kam shtëpinë me ujë dhe lagështirë. E kemi ndërtuar për një copë bukë. Fëmijët janë duke qarë. Këtë vit e bëmë, këtë vit e prishën. Më mirë të na mbysin,”- shprehet një e moshuar mes lotësh.
Ndërsa bashkëshorti i saj u shpreh se ai ishte një shqiptar den baba den dhe se nuk e meritonte këtë sjellje sikur të ishte një serb. Ai u shpreh se nuk ka bërë vaki të prishi shqiptari-shqiptarin në këtë mënyrë dhe se mos të ketë asnjë ndjesi nga ana e autoriteteve shtetërore.
“Ia prish çatinë, po pse e prish të gjithë shtëpinë, jam shqiptar, nuk jam serb. Rrëzoje dhe lëre ashtu, nuk ka bërë ndonjëherë vaki. Në tokën tonë, në shtëpinë tonë, është gjynah. Me djeg shqiptari, shqiptarin, më keq nuk ka. Kanë ardhur 3 policë dhe një police dhe më thanë, ia pafshi hajrin. Ne i nisëm punimet para votimeve.”
Kjo situatë është alarmante dhe ngre pikëpyetje të thella mbi funksionimin e shtetit dhe asaj që mund të quhet një shtet ligjor në funksion dhe dobi të qytetarit. Këto ndërhyrje vijë si vijim i aksioneve në veri, konkretisht në fshatin turistik të Thethit se kjo pritet të sjellë ndryshime të mëdha në vijushmërinë e turizmit malor shqiptar.