Banorët e Tragjasit sfidojnë projektin për ujësjellësin e Himarës

Banorët e Tragjasit dhe përkrahësit e tyre denoncojnë një projekt ujësjellësi që, sipas tyre, rrezikon burimet ujore jetike të zonës dhe ekonominë vendase.

Prej shtatë muajsh, banorët e Tragjasit janë në përplasje të hapur me një projekt që synon të furnizojë me ujë të pijshëm disa fshatra dhe resorte turistike të bashkisë Himarë. Ata pretendojnë se burimet e Izvorit, nga ku planifikohet të merret uji, janë të pamjaftueshme për nevojat e zonës së tyre dhe se ndërhyrja rrezikon t’i shterojë ato përfundimisht.

Në protestën e mbajtur në qendër të fshatit, ku morën pjesë edhe banorë të diasporës dhe pushues nga qytete të tjera të vendit, kërkesa ishte e qartë: anulimi i menjëhershëm i projektit. Sipas tyre, punimet kanë nisur pa asnjë konsultim publik dhe në shkelje të ligjeve për mbrojtjen e burimeve natyrore.

Banorët theksojnë se matjet e fundit tregojnë një rënie dramatike të prurjeve, nga mbi 3.000 litra në sekondë disa vite më parë, në vetëm rreth 530 litra sot. “Nëse vazhdohet kështu, do të humbasin edhe burimet që kemi. Janë mbi 50 burime që kanë zhdukur në zonë,” deklaruan ata.

Një tjetër shqetësim i madh është pika e marrjes së ujit. “Nuk kemi kundërshtuar furnizimin me ujë, por vendndodhjen ku do të merret. Ka alternativa më poshtë që nuk do të na penalizonin,” thanë protestuesit, duke kërkuar që qeveria të gjejë një zgjidhje që nuk dëmton komunitetin.

Mesazhi i tyre është edhe një thirrje për solidaritet kombëtar. “Çdo shqiptar duhet të bashkohet në mbrojtje të burimeve të veta. Institucionet rrallë u përgjigjen kërkesave tona, ndaj duhet të jemi të bashkuar,” theksuan ata.

Kryeplaku i fshatit bëri të ditur se, përveç protestave, çështja po ndiqet edhe në rrugë ligjore. Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të aksioneve nëse autoritetet nuk ndalin projektin dhe kërkojnë një takim urgjent me përfaqësues të qeverisë. Për ta, burimet ujore nuk janë vetëm një pasuri natyrore, por baza e jetesës dhe ekonomisë së zonës.

Ndaj Postimin: