“Më mirë të vdes sesa të më shembin shtëpitë e drurit që kam ndërtuar me kredi,” tha një banor i përlotur teksa u shtri para gomave të fadromës në Theth.
Ndërsa vazhdon operacioni për lirimin e hapësirave publike në zonën turistike të Thethit, reagimi i banorëve është bërë gjithnjë e më i fortë dhe emocional. Të prekurit, që pretendojnë se kanë investuar në mënyrë të ndershme në zhvillimin e turizmit lokal, i kanë dalë përpara fadromave me trupin e tyre.
Një prej banorëve ka prekur publikun me dëshminë e tij mes lotësh, ndërsa është shtrirë në tokë për të ndalur makineritë. Ai tregoi se shtëpitë që ka ndërtuar nuk janë prej betoni, por janë struktura të thjeshta prej druri, të ndërtuara me kredi dhe mund të ndershëm.
“Po më shembin gjithçka. Këto janë shtëpi druri, jo pallate. U futa në borxh për t’i ndërtuar. Ju lutem, mos na shkatërroni jetën,” tha ai me një zë të dridhur, duke i kërkuar ndihmë kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci.
Banori pohoi se është në një gjendje të rënduar psikologjike nga frika se do të humbasë gjithçka. “Kam ndërtuar 5 shtëpi për të pritur turistë, të gjitha me kredi. Ku të shkoj tani? Ku të mbytem?”, shtoi ai në një apel të dhimbshëm.
Reagimet e ngjashme janë shtuar ditët e fundit, me shumë banorë që pretendojnë se ndërtimet janë bërë pa dëmtuar natyrën dhe në funksion të turizmit vendas. Ata ndihen të braktisur nga institucionet dhe pa zgjidhje konkrete përballë aksioneve të ndërhyrjes.
Situata në Theth po tensionohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që mungesa e një komunikimi të qartë nga autoritetet vetëm sa po rrit pasigurinë. Në vend që të shihen si ndërtues të paligjshëm, banorët kërkojnë të konsiderohen si partnerë të zhvillimit lokal.
Në kushtet kur zonat malore po e kthejnë turizmin në mjet mbijetese, zëri i banorëve të Thethit ngre pyetje të forta mbi mënyrën sesi shteti po menaxhon zhvillimin dhe rendin në territore me potencial të lartë natyror dhe njerëzor.