Banorët e Thethit në mbrojtje të tokave: askush s’mund të ndërtojë në Dukagjin pa lejen tonë

Nik Guri paralajmëron ndërtuesit të mos guxojnë të shkelin pronat e Thethit, duke u mbështetur te tradita, Kanuni dhe tapitë e trashëguara.

Një paralajmërim i fortë ka ardhur nga Thethi, ku banori Nik Guri ka reaguar pas shembjes së disa ndërtimeve nga IKMT, duke u shprehur i vendosur se askush nuk mund të ndërtojë në tokat e Dukagjinit pa miratimin e komunitetit vendas. Në një lidhje për emisionin Ai theksoi se ndërtimet e reja do të përballen me qëndresë të ashpër nëse nuk respektohet pronësia tradicionale.

Guri deklaroi se ndërtesat e shembura ishin ngritur në tokën e tyre dhe se, ndonëse shteti nuk i njeh dokumentet e vjetra, banorët i konsiderojnë ato të vlefshme. “Ne kemi tapitë tona, janë të trashëguara brez pas brezi, por shteti nuk i njeh. Sidoqoftë, ne jemi në tokën tonë dhe kemi ndërtuar me lejen tonë, jo të shtetit,” u shpreh ai.

Ai përmendi Paketën e Maleve si një nismë që mund të keqkuptohet nga ata që synojnë të ndërtojnë në zonë, duke u bërë thirrje të mos e mendojnë as si mundësi. “Me këtë paketë të maleve mund t’i vijë dikujt në mend të ndërtojë këtu. Por këtu është Dukagjin. Dhe Kanuni është ligji ynë,” tha Guri.

Sipas tij, në këtë zonë s’ka mundur të hyjë as serbi e as turku, dhe kjo është një dëshmi e qartë e qëndresës së komunitetit lokal. “Në 1920, Frati u tha fshatarëve: mos e shitni tokën në Theth. Kush ka ardhur, ka qenë nga Dukagjini, nuk ka hyrë njeri tjetër. Ata janë gjaku ynë,” kujtoi ai.

Ai propozoi që zgjidhja të vijë përmes një tryeze me pjesëmarrjen e Kishës, Kuvendit dhe pushtetit lokal, për të vendosur rregulla të qarta që respektojnë historinë dhe pronësinë tradicionale. “Ne nuk duam konflikt, por duam drejtësi. Dhe kjo arrihet vetëm përmes dialogut,” nënvizoi Guri.

Në fund, ai i drejtoi një thirrje të prerë çdo ndërtuesi të mundshëm: “Mendohuni mirë para se të vini në tokën tonë. Këtu jemi të bashkuar, dhe nuk lejojmë askënd të na marrë çka është e jona.”

Ndaj Postimin: