Banorët e fshatit Mifol kanë denoncuar në polici marrjen e dherave në tokat e tyre, duke e cilësuar këtë proces si një grabitje të hapur të pronës dhe një shkelje flagrante të çdo norme ligjore. Sipas dokumentit që Apollon Tv posedon, një prej banorëve ka depozituar kallëzim penal për gërryerjen e tokave në zonë, një aktivitet që, sipas tyre, po zhvillohet në heshtje të plotë institucionale.
Banorët deklarojnë se marrja e dherave po kryhet pa asnjë konsultim me komunitetin, pa transparencë dhe pa asnjë projekt të bërë publik që të sqarojë ndikimin real mbi pronat private dhe mjedisin. Ata theksojnë se nuk ekziston asnjë informacion zyrtar mbi pasojat afatgjata të këtij procesi dhe as mbi rikthimin apo rehabilitimin e këtyre sipërfaqeve pas gërryerjes.
Situata ka tensionuar banorët, të cilët paralajmërojnë se nuk do të lejojnë vijimin e punimeve në këto kushte. Ata kanë lajmëruar organizimin e një proteste në ditët në vijim, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Ndërkohë, Apollon Tv mëson se pas një kontrolli të kryer nga Prefektura, kjo e fundit ka deklaruar se do të kërkojë dokumentacionin përkatës nga institucionet përkatëse. Po ashtu, pritet që edhe IKMT të nisë një grup kontrolli në zonë, për të verifikuar ligjshmërinë e një procesi që banorët e konsiderojnë të paligjshëm dhe të dëmshëm.