Banorët e lagjes 1 Maj denoncojnë braktisjen nga Bashkia Fier

Rreth 400 banorë të lagjes 1 Maj në Fier denoncojnë neglizhencën e Bashkisë për pallatet e tyre, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme nga institucionet vendore.

Banorët e lagjes 1 Maj në Fier janë ngritur me shqetësim të madh për kushtet e vështira në të cilat ndodhen prej kohësh. Ata theksojnë se pallatet e tyre janë lënë në harresë nga Bashkia, duke u përballur çdo ditë me probleme që prekin jetën e përditshme.

Qani Vidhishta duke folur për TV Apollon, u shpreh se situata është e padurueshme dhe se prej disa vitesh kanë kërkuar ndihmë, por zëri i tyre nuk është dëgjuar. Ai përmendi bllokun e pallateve të njohura si “Arjon”, pranë karburantit të Omerit, ku jetojnë rreth 400 persona.

Sipas banorëve, mungesa e ndërhyrjes për mirëmbajtje dhe rikonstruksion ka sjellë pasoja serioze. Ata evidentojnë probleme me infrastrukturën, shërbimet publike dhe sigurinë e banesave të tyre, duke e quajtur të papranueshme këtë gjendje në një qytet si Fier.

“Ujë banjo është e gjitha, komplet banjo derdhet këtu,”- thotë qytetari i revoltuar për TV Apollon.

Shqetësimi i tyre nuk lidhet vetëm me cilësinë e jetesës, por edhe me sigurinë. Mungesa e investimeve ka bërë që pallatet të jenë të rrezikshme për banim, mungesa e ndriçimit si edhe probleme të tjera, duke vënë në rrezik qindra familje.

Banorët e lagjes 1 Maj i bëjnë thirrje Bashkisë Fier të marrë masa të menjëhershme për të zgjidhur këtë situatë. Ata paralajmërojnë se nëse problemet e tyre nuk do të merren seriozisht, do të vijojnë të denoncojnë publikisht dhe të organizohen për të kërkuar të drejtat e tyre.

Ndaj Postimin: