Banorët e Kurdarit kundërshtojnë HEC-in: ujërat e jetesës po kërcënohen

Banorët e fshatit Kurdari në Klos denoncojnë ndërtimin e hidrocentralit që, sipas tyre, do t’u shkatërrojë jetën, ekonominë dhe të ardhmen bujqësore.

Një protestë e ashpër është zhvilluar përpara Bashkisë së Klosit nga banorët e fshatit Kurdari, të njësisë administrative Suç. Të shqetësuar dhe të vendosur, ata kërkuan me ngulm ndalimin e menjëhershëm të punimeve për ndërtimin e një hidrocentrali në zonën e tyre.

“Pa ujë nuk mund të jetojmë. Na lini pa burimin kryesor të jetesës. Nëse nuk na dëgjoni, do të largohemi ose do të vdesim ngadalë”, deklaruan disa prej protestuesve, duke theksuar se ky nuk është reagimi i tyre i parë ndaj projektit.

Protestuesit sollën në kujtesë edhe përplasjet e mëparshme që kanë ndodhur te vepra e marrjes së ujit, ku pati tensione me forcat e rendit. Ata paralajmëruan se nuk do të tërhiqen, edhe nëse përballen me dhunë apo indiferencë institucionale.

Sipas tyre, ndërtimi i hidrocentralit do të shkaktojë pasoja të parikuperueshme për komunitetin: furnizimi me ujë do të ndërpritet dhe ekonomia bujqësore do të shembet. Për këtë arsye, ata i bënë thirrje urgjente Bashkisë së Klosit të ndërhyjë për të pezulluar projektin.

Nga ana tjetër, kompania që po ndërton hidrocentralin ka deklaruar se ka të gjitha dokumentet ligjore dhe lejen e ndërtimit të lëshuar që në vitin 2019. Por kjo nuk i bind banorët, të cilët e shohin projektin si një dhunim të së drejtës së tyre për të jetuar në vendlindje.

Ata kërkojnë një zgjidhje të shpejtë, që të mos përfundojnë pa tokë, pa ujë dhe pa të ardhme. Protestat, sipas tyre, do të vazhdojnë derisa të ndalet përfundimisht ndërtimi i hidrocentralit dhe të sigurohet mbrojtja e komunitetit të tyre.

Ndaj Postimin: