Prej disa ditësh, banorët e fshatit Imesht në Lushnjë janë në protestë të vazhdueshme përballë një skandali të rëndë pronësor. Sipas tyre, një kompani e lidhur me investime në panele diellore, me mbështetje politike, po tenton t’u marrë tokat që ata i punojnë dhe i zotërojnë faktikisht prej më shumë se 30 vitesh.
Bëhet fjalë për një territor pranë lumit Seman, zonë lumore dhe basen ujor, e cila sipas pretendimeve të banorëve dhe interpretimit të ligjit, nuk ka pronar të regjistruar dhe nuk mund të privatizohet.
Banorët theksojnë se kjo tokë është burimi i vetëm i jetesës së tyre — toka që mban familjet dhe fëmijët e tyre. Megjithatë, sipas tyre, përmes procedurave të dyshimta dhe dokumentacionit që ata e kontestojnë, kompania pretendon se e ka përfituar territorin nëpërmjet procesit të kthim-kompensimit të pronës.
Në lidhje me këtë çështje, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP). Sipas përgjigjes së bërë publike, për këtë territor nuk rezulton të ketë titull të regjistruar pronësie.