Zjarret e fuqishme në Delvinë, Gramsh e zona të tjera kanë ndezur zemërimin e banorëve që ndihen të braktisur nga autoritetet.
Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë regjistruar 64 vatra zjarri, prej të cilave 24 mbeten ende aktive. Mbi 10 mijë forca të emergjencave, të koordinuara nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, janë në terren duke punuar për të frenuar përhapjen e flakëve. Situata më kritike është në Delvinë, ku ndërhyrja po mbështetet edhe nga dy helikopterë, ndërsa në Gramsh operojnë tre të tillë.
Në Delvinë, banorët kanë kaluar një natë të vështirë, mes frikës për jetën dhe pasurinë e tyre. Ata shprehen të indinjuar me mungesën e ndihmës, duke akuzuar institucionet për mosveprim. Sipas tyre, vetëm ndërhyrja ajrore me avionë mund të ndalonte shkatërrimin.
Një banor i zonës deklaroi me tone të forta: “Mos më merrni me kamera, por merrni kryeministrin të shuajë zjarret. Më janë djegur ullinjtë dhe malli që kam atje sipër.” Një tjetër shtoi se zjarrfikësit i lanë “në mëshirë të fatit”, pasi nuk kishin më fuqi për të luftuar flakët.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuim në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, duke kërkuar nga banorët të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të largohen drejt zonave të sigurta.
Përveç Delvinës, zjarre të fuqishme po shkaktojnë dëme edhe në Finiq, ku janë djegur banesa dhe ullishte, në Gramsh ku është shënuar një viktimë, si dhe në Tepelenë ku janë dëmtuar stalla dhe bagëti. Vatra të tjera janë aktive edhe në Tiranë, Shkodër, Dibër e Korçë.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve në terren, përhapja e shpejtë e flakëve dhe kushtet e vështira atmosferike po e bëjnë të vështirë menaxhimin e situatës, duke rritur ankthin e komuniteteve të prekura.


