Banorët e Bashkimit kundër kompanisë së shegëve në Levan

Dhjetëra banorë të fshatit Bashkim në njësinë administrative Levan protestuan kundër një kompanie private që sipas tyre po u grabit tokat bujqësore dhe pyjet prej vitesh.

Mëngjesin e kësaj të premteje, fermerët dolën në rrugë të indinjuar duke akuzuar se kompania, e cila zotëron një plantacion me shegë të miratuar nga Ministria e Bujqësisë, po shtrihet përtej tokave që iu ishin dhënë për kullota dhe një pjesë të pyllit. Ata thonë se tashmë po tentohet të zaptohen edhe parcelat që i kanë fituar me vendim gjykate dhe në bazë të ligjit 7501.

Banorët pohojnë se nuk janë pyetur asnjëherë nga institucionet dhe se situata ka shkuar deri në përplasje fizike. Ata paralajmërojnë se tensionet mund të përshkallëzohen më tej nëse nuk ndërhyhet me urgjencë nga autoritetet për zgjidhjen e konfliktit.

Sipas tyre, më shumë se 150 familje preken drejtpërdrejt nga ky problem, ndërsa rreth 60 deri në 70 hektarë tokë pretendohet se janë marrë padrejtësisht nga kompania gjatë këtyre shtatë viteve. Fermerët e shohin këtë si një grabitje të hapur që po u rrezikon jetesën.

“Ne jemi të vendosur të mbrojmë tokat tona, por nuk duam që situata të degradojë deri në vetëgjyqësi,” u shprehën disa prej banorëve të pranishëm në protestë. Ata theksojnë se nuk kanë asnjë qëllim tjetër veçse të ruajnë pronat e tyre të trashëguara dhe të njohura nga ligji.

Çështja është denoncuar edhe pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në Fier nga një përfaqësi e fermerëve, të cilët kanë dorëzuar ankesat e tyre për veprimet e kompanisë. Banorët kërkojnë që hetimet të nisin menjëherë dhe të vendoset drejtësi.

Ndërkohë, ata kanë bërë apel që qeveria dhe institucionet përgjegjëse të marrin situatën në dorë, duke garantuar respektimin e ligjit dhe pronësisë. Sipas banorëve, vonesat vetëm sa do të përkeqësojnë konfliktin dhe do të rrisin pasigurinë në zonë.

Ndaj Postimin: