Kompania kineze Bankers Petroleum deklaron gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare dhe për të shlyer detyrimet e lindura nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit të vitit të kaluar, ndërsa hetimet për evazion fiskal dhe mashtrime financiare vijojnë në drejtim të drejtuesve të saj.
Bankers Petroleum, kompania që operon me koncesion në fushën e naftës në Patos Marinzë, njoftoi se do të punojë ngushtë me institucionet shqiptare për të ekzekutuar plotësisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të 7 qershorit 2024, i mbështetur edhe nga Gjykata e Apelit të Shqipërisë më 1 korrik 2025. Në deklaratën e saj zyrtare, kompania thekson gatishmërinë për të respektuar këtë vendim, duke mbrojtur investimet e huaja dhe duke kontribuar në realizimin e një projekti strategjik energjetik në rajonin evropian.
Në konflikt me qeverinë shqiptare, Bankers u përball në arbitrazh për shpenzimet tatimore të deklaruara në periudhën 2012-2017. Gjykata vendosi të mos njohë 236 milionë dollarë nga shpenzimet e kompanisë, një vendim që ndryshon statusin financiar të saj dhe detyron fillimin e pagesës së tatimit prej 50% mbi fitimin kur të ardhurat nga shitja e naftës të kapërcejnë shpenzimet. Përkundër këtij vendimi, palët ende nuk kanë përfunduar rakordimin e llogarive financiare.
Arsyeja e reagimit të Bankers vjen pas arrestimit të 10 personave, përfshirë CEO-n kinez Hong Ping Xiao dhe ish-CEO-n Leonidha Çobo, të akuzuar për evazion fiskal dhe skema mashtrimi ndaj shtetit. Kompania shprehet se po ndjek me seriozitet hetimet e nisura nga autoritetet shqiptare dhe është në bashkëpunim të plotë me institucionet përkatëse, duke mbështetur një frymë transparence dhe respekt për ligjin.
Në deklaratën e plotë, Bankers Petroleum Albania përsërit angazhimin e saj ndaj strategjisë “Shqipëria 2030”, që synon forcimin e sigurisë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kompania premton përkushtim afatgjatë, integritet dhe llogaridhënie në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, duke konfirmuar edhe planin për të ngritur një ekip të jashtëm për një hetim të brendshëm të plotë në periudhën e shfrytëzimit të koncesionit.
Për më tepër, Bankers planifikon të investojë në teknologji të avancuar termale për të përmirësuar rikuperimin e naftës dhe për të reduktuar kostot e prodhimit. Kjo nismë do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik dhe objektivat mjedisore të Shqipërisë, duke përmirësuar efikasitetin dhe duke ulur gjurmën ekologjike të aktivitetit të saj.
Kompania thekson se do të vazhdojë të respektojë plotësisht ligjet shqiptare dhe standardet ndërkombëtare, duke mbajtur fokusin te partneriteti, inovacioni dhe prosperiteti i përbashkët. Bankers e sheh veten si një partner strategjik në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe stabilitetit për Shqipërinë dhe gjithë qytetarët e saj.