Banka Kombëtare Tregtare shënon 100-vjetorin me një mbrëmje gala në Teatrin e Operës dhe Baletit

Banka Kombëtare Tregtare (BKT), institucioni financiar më i madh në Shqipëri, festoi 100-vjetorin e rrënjëve të saj me një mbrëmje gala madhështore të organizuar në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Çalık Holding – aksionari i vetëm i bankës, drejtues të Bankës së Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve financiare, partnerë vendas e ndërkombëtarë, trupa diplomatike dhe sipërmarrës.

Rrënjët e BKT-së datojnë në vitin 1925 me themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis, e cila krijoi sistemin e parë monetar kombëtar. Me emrin aktual, banka nisi aktivitetin më 1 janar 1993, pas bashkimit të Bankës Shqiptare të Tregtisë dhe Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Pas privatizimit në vitin 2000 dhe blerjes së plotë nga Çalık Holding2009, BKT u konsolidua si lider i sistemit bankar shqiptar.

Në fjalën e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i BKT-së, z. Seyhan Pencabligil, u shpreh krenar për rrugëtimin një shekullor të institucionit që drejton, duke e cilësuar BKT-në “një bankë të klasit botëror” dhe “institucion që ka ndërtuar besim e stabilitet ndër vite”. Ai theksoi se me rastin e jubileut, banka ka përfunduar restaurimin e katër ndërtesave historike në Durrës, Elbasan, Korçë dhe Vlorë, si dëshmi e trashëgimisë dhe qëndrueshmërisë së saj.

Kryetari i Bordit, Mehmet Usta, vlerësoi BKT-në si “një simbol të zhvillimit, besimit dhe stabilitetit ekonomik të vendit”. Ai theksoi se banka po ndërthur 100 vitet e historisë me inovacionin digjital, duke vendosur në qendër qëndrueshmërinë dhe përgjegjësinë ndaj komunitetit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, përgëzoi institucionin për kontributin e tij në përfshirjen financiare dhe inovacionin teknologjik. Ai nënvizoi se BKT ka qenë “një nga motorët kryesorë të modernizimit të ekonomisë shqiptare” përmes shërbimeve digjitale dhe investimeve në produkte moderne të pagesave.

Programi artistik i mbrëmjes përfshiu një udhëtim artistik përmes historisë, me pjesëmarrjen e soprano Marigona Qerkezi, baritonit Gëzim Myshketa dhe violinistit Olen Cesari, nën shoqërinë e Orkestrës Simfonike të TKOBAP dhe dirigjentit Sergio Alapont. Interpretimet përfshinë vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe klasikë botërorë si Tosca, Carmen dhe Maria Stuarda, si edhe performanca instrumentale nga muzika e filmit Gladiatori dhe Tango Argjentine.

Mbrëmja u pasurua me valle tradicionale nga Ansambli Popullor, baletin kontemporan “Viceversa” dhe performanca koreografike të reja që simbolizonin kalimin nga tradita drejt së ardhmes.

Në kuadër të 100-vjetorit, BKT ka mbjellë 100 pemë rrapi në qytetet ku ndodhen degët historike të bankës, si simbol i qëndrueshmërisë dhe lidhjes me komunitetin.

Aktualisht, BKT zotëron rreth 7 miliardë dollarë në aktiva dhe përfaqëson 25% të sistemit bankar shqiptar, duke operuar me 62 degë dhe duke u shërbyer mbi 850 mijë klientëve. Grupi përfshin gjithashtu BKT Kosovë dhe Institucionin e Parasë Elektronike BKT Pay.

Për performancën e saj të lartë, banka është vlerësuar ndër vite me çmime si “Banka më e Mirë në Shqipëri” nga The Banker, Global Finance, Euromoney dhe institucione të tjera ndërkombëtare prestigjioze.

Ndaj Postimin: