SPAK-u zbulon lidhjet mes kredive të dhëna nga Raiffeisen Bank dhe një rrjeti të fuqishëm kriminal të trafikut të kokainës në Europë
Pak ditë më parë, autoritetet shqiptare dhe të huaja finalizuan një operacion të madh kundër një rrjeti të dyshuar si ndër më të fuqishmit në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt Europës.
Në qendër të hetimeve ndodhen vëllezërit Ervis dhe Ardjan Çela, ndërsa një emër tjetër që doli në dosje është Fadil Balla, i njohur si “Shijaksi”. Ai është pronar i “Ajman Park Resort”, tashmë i sekuestruar nga SPAK-u.
Hetimet zbuluan se sekuestrimi i 17 tonëve kokainë dhe aseteve të shumta nxori në dritë edhe përfshirjen e Raiffeisen Bank në këtë skemë të dyshuar pastrimi parash. Kryeprokurori Altin Dumani ka theksuar se banka të nivelit të dytë në Shqipëri janë përdorur nga biznese për të integruar fitimet e mafies ndërkombëtare në sistemin bankar.
Dokumentet tregojnë se më 25 prill 2023, dy vite para goditjes së SPAK, të gjitha aksionet e Ballës në shoqërinë “AMR” iu kaluan Raiffeisen Bank si garanci për një kredi. Sipas kontratës, ai kishte lënë 100% të aksioneve të “Ajman Park” si kolateral.
Që nga 14 gushti, pasuria është nën administrim shtetëror, ndërsa SPAK-u ka njoftuar bankën për sekuestrimin. Burime pranë organit të akuzës konfirmojnë se edhe kjo kontratë do të hetohet si pjesë e çështjes për pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar të drogës.
Fadil Balla, alias Julian Balla, është shpallur në kërkim dhe prej vitesh njihej si ish-president i klubit të futbollit “Erzeni” dhe si biznesmen. SPAK-u ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar me bashkëpunimin e EUROPOL-it dhe agjencive ligjzbatuese të Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë e Italisë.
Hetimet nisën pas analizës së komunikimeve të enkriptuara në platformën SkyECC, ku u zbuluan dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun dhe Anversin.
Organizata kriminale, e drejtuar nga shtetasit E.Ç. dhe F.G., kishte një strukturë të plotë për prodhimin, magazinimin, transportin dhe shpërndarjen e kokainës, si dhe për pastrimin e fitimeve në pasuri e biznese brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një nga metodat kryesore për qarkullimin e parave ishte transporti fizik i shumave të mëdha “cash” nga BE drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh të besuar. Kjo shmangte gjurmët bankare dhe kontrollet doganore, ndërsa shoferët merrnin 2% të shumës si pagesë.
Përveç kësaj, rrjeti përdorte sistemin informal të transfertave “hawala” ose “token”, duke kanalizuar shuma të mëdha drejt vendeve si Bolivia, ku kontrolli financiar është minimal.
Prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara e cilësuan këtë grup si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në tregun ndërkombëtar të kokainës, me aftësi për të ndikuar në çmimet e saj dhe për të rikuperuar shpejt humbjet nga sekuestrimet.
Gjykata e Posaçme ka sekuestruar 14 pasuri me vlerë miliona euro, përfshirë resorte turistike, vila luksoze, apartamente, tokë bujqësore, kuota në shoqëri tregtare dhe automjete. Vetëm një vilë në Dhërmi vlerësohet rreth një milion euro.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithashtu mbi 111,800 euro cash, 4,000 dollarë dhe shuma të konsiderueshme në lekë.
SPAK ka falënderuar Byro Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit për punën e bërë, si dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin që çoi në goditjen e këtij rrjeti me ndikim global.


