Banka Botërore sinjal alarmi për Shqipërinë: Shpenzime të larta, por cilësi e dobët në transport

Një analizë e re mbi financat publike të Shqipërisë evidenton probleme serioze në mënyrën e përdorimit të fondeve, veçanërisht në sektorin e transportit. Studimi “Albania Public Finance Review 2025” vlerëson se, ndonëse investimet publike kanë qenë të konsiderueshme, rezultatet në terren mbeten nën pritshmëri.

Sipas raportit, Shqipëria ka alokuar rreth 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për investime publike, por infrastruktura e transportit vijon të përballet me gjendje të dobët të rrugëve, mbingarkesë trafiku dhe nivele të larta ndotjeje. Transporti hekurudhor dhe ai detar mbeten të kufizuar nga infrastruktura e vjetruar.

Banka Botërore thekson se përmirësimi i efikasitetit të investimeve, sidomos në energji dhe transport, mund të rrisë indeksin e përgjithshëm të infrastrukturës deri në 18.6%. Një zhvillim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe në cilësinë e shërbimeve publike, duke ulur kostot për bizneset dhe qytetarët.

Raporti paralajmëron për rreziqe fiskale që burojnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe partneritetet publike-private, veçanërisht në energji dhe transport. Sipas analizës, efikasiteti i ulët i investimeve publike vazhdon të rrisë presionin mbi financat dhe të kufizojë ndikimin e tyre në rritjen ekonomike.

Një tjetër dimension kritik lidhet me ekspozimin ndaj ndryshimeve klimatike. Transporti dhe energjia konsiderohen sektorë me ndjeshmëri të lartë ndaj rreziqeve klimatike, ndërsa fondet për menaxhimin e fatkeqësive dhe mbrojtjen e mjedisit mbeten të pamjaftueshme. Për t’u afruar me standardet rajonale, vendi do të duhet të rrisë shpenzimet për klimën dhe mjedisin me 0.4–0.9% të PBB-së.

Rekomandimet përfshijnë përmirësimin e përzgjedhjes së projekteve infrastrukturore, forcimin e institucioneve dhe monitorimit, si dhe rritjen e transparencës në menaxhimin e investimeve. Sipas raportit, pa rritje të cilësisë dhe përgatitje më të mirë të projekteve, shpenzimet e larta në transport rrezikojnë të mos përkthehen në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe afrimin me Bashkimin Evropian.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033