Banka Botërore: Rritje 3.5% për ekonominë shqiptare këtë vit dhe në 2027

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.5 për qind gjatë këtij viti, një parashikim që mbetet i pandryshuar krahasuar me raportin e vjeshtës. E njëjta normë rritjeje parashikohet edhe për vitin 2027.

Sipas vlerësimeve, kjo normë rritjeje konsiderohet relativisht pozitive në kushtet aktuale të zhvillimit kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Megjithatë, ajo mbetet nën nivelin që do të garantonte një zhvillim të qëndrueshëm dhe të mirëfilltë ekonomik.

Në nivel rajonal, Kosova parashikohet të udhëheqë rritjen ekonomike me 3.8 për qind, duke u renditur e para. Shqipëria pozicionohet e dyta, ndërsa Serbia pritet të shënojë një rritje prej 3 për qind. Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi parashikohen të kenë normat më të ulëta të rritjes ekonomike në rajon.

Në nivel global, vërehet një ngadalësim i ritmit të rritjes ekonomike. Pas goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, ekonomia botërore vijon të rritet, por me ritme të ulëta dhe pa energjinë e nevojshme për të gjeneruar zhvillim të gjerë.

Rritja ekonomike botërore për këtë vit parashikohet në nivelin 2.7 për qind. Nëse këto projeksione rezultojnë të sakta, norma mesatare e rritjes ekonomike gjatë kësaj dekade do të jetë më e ulëta që nga vitet 1960.

Sipas vlerësimeve, një rritje e tillë e Prodhimit të Brendshëm Bruto është e pamjaftueshme për të ulur varfërinë ekstreme dhe për të krijuar vende pune aty ku nevojiten më shumë. Përkthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie reale për qytetarët kërkon një normë rritjeje prej të paktën 5.5 deri në 6 për qind.

Ndërkohë, vlerësohet se, edhe pse shumica e ekonomive të avancuara do të jenë më të pasura se para pandemisë, një në katër vende në zhvillim dhe më shumë se një e treta e ekonomive me të ardhura të ulëta do të jenë më të varfra sesa pesë vite më parë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033