Shqipëria duhet të rishikojë politikën fiskale, e cila vlerësohet si relativisht e dobët. Ky është konkluzioni i Bankës Botërore në raportin për politikat fiskale 2025, ku theksohet se me ritmin aktual të reformave, rritja ekonomike në afatgjatë pritet të ngadalësohet në rreth 1.5% në vit deri në vitin 2050.
Sipas raportit, faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë projeksion janë rënia e popullsisë në moshë pune, produktiviteti i dobët dhe ritmi i pamjaftueshëm i rritjes së kapitalit njerëzor.
Në kuadër të stabilitetit makroekonomik, rekomandohet që politika fiskale të orientojë burimet drejt fushave prioritare, të përmirësojë efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave dhe të ruajë rezerva të mjaftueshme përballë rreziqeve në rritje. Në afat të shkurtër, prioritet duhet të jenë përmirësimi i administrimit tatimor dhe rritja e investimeve në sektorët e kapitalit njerëzor.
Raporti vlerëson progresin e arritur gjatë dekadës së fundit, por thekson se vendi ka ende distancë për të përshkuar për të arritur nivelin e të ardhurave të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye kërkohet rritje dhe efikasitet më i lartë në mbledhjen e të ardhurave publike, si dhe përmirësim i cilësisë së shpenzimeve.
Në sektorin e energjisë, Shqipëria ka arritur akses pothuajse universal në energjinë elektrike dhe ka investuar në hidrocentrale dhe burime të rinovueshme. Megjithatë, pavarësisht investimeve publike që arrijnë rreth 6% të PBB-së, infrastruktura e transportit vijon të përballet me probleme.
Rrugët paraqesin gjendje të dobët, mbingarkesë dhe ndotje, ndërsa infrastruktura hekurudhore dhe ajo detare mbeten të vjetruara. Sipas raportit, eliminimi i shpenzimeve joefikase në infrastrukturë mund të përmirësojë Indeksin e Përgjithshëm të Infrastrukturës me 18.6%.
Raporti evidenton gjithashtu rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike, duke theksuar se transporti dhe energjia janë sektorë të ekspozuar, ndërsa financimi për menaxhimin e fatkeqësive dhe mbrojtjen e mjedisit mbetet i pamjaftueshëm. Një tjetër sfidë mbeten shpenzimet për pensionet, të cilat renditen ndër më të ulëtat në Evropë.