Balla për protestën: Dhuna ndaj policisë po përdoret për të mbuluar dështimin politik

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas episodeve të dhunës gjatë protestës së thirrur nga Sali Berisha, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.

Në reagimin e tij, Balla deklaroi se dhuna ndaj policisë dhe godinave shtetërore po përdoret për të fshehur, sipas tij, dështimin e opozitës. Ai theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por nuk mund të shndërrohet në justifikim për sulme fizike.

“Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë, por nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur të shërbejnë për sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Balla.

Ai vuri në dukje se Policia e Shtetit përballet çdo ditë me situata të rrezikshme dhe mban një barrë të rëndë në ruajtjen e rendit publik. Sipas Ballës, shoqëria duhet të reflektojë mbi rëndësinë e uniformës së policisë, ndërsa drejtësia duhet të veprojë pa hezitim.

“Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, deklaroi Balla, duke kërkuar që autorët e dhunës të përballen me drejtësinë dhe të shërbejnë si shembull.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033