Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se Partia Demokratike ka edhe një mundësi të fundit për të marrë pjesë në procesin e Reformës Territoriale, përpara se shumica të vijojë me ndryshimet në përbërjen e komisionit përkatës.
Gjatë Konferencës së Kryetarëve, Balla u është drejtuar deputetëve të opozitës duke theksuar se mungesa e tyre në mbledhjen e radhës të Komisionit për Reformën Territoriale, të planifikuar për të hënën, do të pasohet me votimin e ndryshimeve në seancën plenare të së martës.
Sipas Ballës, pjesëmarrja e Partisë Demokratike në mbledhjen e së hënës do të sillte ruajtjen e formulës aktuale të përbërjes së komisionit, ndërsa një bojkot i radhës do të çonte automatikisht në ndryshime të njëanshme nga mazhoranca.
Deklarata vjen në një moment tensioni politik mes palëve lidhur me procesin e Reformës Territoriale, i cili ka mbetur i bllokuar për shkak të mosangazhimit të opozitës në punimet e komisionit.