74-vjeçari Hekuran Gjoni ka vrarë djalin e tij 41-vjeçar, Asim Gjoni, pas një debati për pronën, zbardhen detajet e krimit të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes, ku Asimi kishte shkuar pas një dite pune për të vizituar prindërit. Pas një diskutimi të ndërsjellë që kishte të bënte me pronësinë e shtëpisë, situata eskaloi dhe babai, duke përdorur thikën e bukës, e plagosi fatalisht djalin.
Sipas hetimeve të para, në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin katër persona: Hekuran Gjoni, gruaja e tij, motra e Asimit dhe vetë viktima. Pas një debati të ashpër për ndarjen e pronës, ku motra e Asimit kërkonte gjysmën e katit të parë të shtëpisë, konflikti u përshkallëzua. Gjatë përleshjes verbale, Hekuran Gjoni ka sulmuar djalin e tij, duke e goditur me thikë. E plagosur ka mbetur edhe motra e Asimit, por fatmirësisht ajo nuk ka pësuar dëmtime të rënda.
Fillimisht, u përhap versioni se të dy, babai dhe djali, mund të kishin qenë nën ndikimin e alkoolit, por më pas u sqarua se Asimi nuk kishte konsumuar alkool dhe ishte një person i qetë dhe punëtor. Ai punonte në ndërtim për të mbajtur familjen dhe nuk ishte një njeri i konfliktual. Nga ana tjetër, Hekuran Gjoni, sipas dëshmive të familjarëve, ishte përdorues i alkoolit dhe bëhej agresiv kur ishte i dehur.
Përplasjet për pronën kishin nisur disa ditë para ngjarjes tragjike, kur 74-vjeçari kishte kërkuar nga djemtë e tij që të dorëzonin letrat e pronës. Asimi kishte refuzuar t’i jepte ato, çka mund të ketë shkaktuar tensionet që çuan në tragjedinë e ditës së mërkurë.
Në lidhje me motivet e krimit, debati për pronën është identifikuar si shkaku kryesor. Asimi, i cili kishte një pjesë të katit të parë të shtëpisë, kishte pasur një marrëdhënie të vështirë me motrën e tij, e cila kishte kërkuar që t’i jepeshin pjesë të tjera të pronës. Shtëpia ku jetonte familja Gjoni ishte ndarë nga babai Hekuran Gjoni, i cili i kishte dhuruar katet e shtëpisë me akt dhurimi fëmijëve të tij, duke e ndarë mes tyre.
Pas ngjarjes, Hekuran Gjoni është arrestuar dhe ka dhënë dëshminë e tij për hetuesit. Çështja tani është në duar të Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për motivet e plota të këtij krimi të rëndë. Familjarët e Asimit janë shokuar nga kjo ngjarje tragjike, ndërsa motra e tij është e tronditur për rolin që ka luajtur në këtë tragjedi.