Babai i kandidates së PSD në Fier dënohet për korrupsion zgjedhor lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor Pandeli Bozhën, babain e kandidates për deputete të PSD-së në Fier, Limonera Bozha, për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

70-vjeçari u dënua fillimisht me një vit e gjashtë muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u reduktua në një vit. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tij në shërbim prove për një periudhë 24-mujore, me kusht që të mos kryejë vepra të tjera penale gjatë kësaj kohe.

Fajtor u shpall edhe Vladimir Lushkaj për korrupsion pasiv në zgjedhje, por Gjykata vendosi përjashtimin e tij nga dënimi, pa caktuar masë konkrete ndëshkuese.

Hetimet për këtë çështje u nisën nga Prokuroria e Posaçme vitin e kaluar dhe dosja u dërgua në gjykim pas arrestimit të Pandeli Bozhës, i cili dyshohej se kishte blerë vota për llogari të vajzës së tij. Procesi gjyqësor u zhvillua me procedurë të shkurtuar.

Në kuadër të vendimit, Gjykata urdhëroi konfiskimin në favor të shtetit të një kartëmonedhe prej 2 mijë lekësh, e konsideruar provë materiale e përdorur për blerjen e votës, si dhe administrimin e një flete të ngjashme me fletët e votimit, ku emri i kandidates ishte i shënuar.

Shpenzimet procedurale të hetimit dhe gjykimit iu ngarkuan të pandehurve në mënyrë solidare, ndërsa ndaj vendimit është lënë e hapur e drejta e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033