Azili në BE hyn në fazë të re, Shqipëria përfshihet në arkitekturën e re të migracionit

Parlamenti Europian ka miratuar një paketë ndryshimesh që riformatojnë mënyrën se si Bashkimi Europian trajton kërkesat për azil, duke synuar përshpejtimin e procedurave dhe forcimin e kontrollit mbi migracionin.

Një nga elementët kryesorë të vendimit është krijimi i një liste të përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës. Qytetarët e vendeve që përfshihen në këtë listë do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara për shqyrtimin e kërkesave për azil. Në listë përfshihen Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, Kosova, India, Maroku dhe Tunizia.

Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu që vendet kandidate për anëtarësim në BE të konsiderohen, në parim, vende të sigurta, me kusht që situata politike dhe e të drejtave të njeriut të monitorohet vazhdimisht dhe lista të rishikohet nëse rrethanat ndryshojnë.

Një tjetër element i rëndësishëm është mundësia që shtetet anëtare të lidhin marrëveshje me vende të treta për përpunimin e kërkesave për azil jashtë territorit të Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, përmendet edhe Shqipëria, përmes marrëveshjes së nënshkruar me Italinë për qendrat e trajtimit të migrantëve.

Sipas kuadrit të ri ligjor, një kërkesë për azil mund të shpallet e papranueshme nëse aplikanti ka lidhje me një vend të tretë, ka kaluar përmes tij përpara hyrjes në BE ose nëse ekziston një marrëveshje ndërkombëtare për trajtimin e këtyre kërkesave, me përjashtim të rasteve që përfshijnë të mitur të pashoqëruar.

Vendimi u miratua me shumicë votash, ndërsa mbështetje të fortë dha krahu i djathtë dhe Partia Popullore Europiane. Në të kundërt, eurodeputetë nga të Gjelbrit dhe e Majta paralajmëruan se rregullat e reja mund të kufizojnë realisht aksesin në të drejtën e azilit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033